Presidenti turk dënoi të dielën mbylljen e përkohshme të konsullatave perëndimore në Stamboll, duke paralajmëruar veprime nëse misionet vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.
“Kohët e fundit, Ministria jonë e Jashtme i thirri ata dhe u dha atyre një ultimatum. Ajo tha se nëse ata vazhdojnë veprime të tilla, ata do paguajnë një çmim të rëndë,” tha Erdogan në një takim me të rinjtë në provincën perëndimore Aydin.
Vërejtjet e Erdoganit erdhën pasi Turqia thirri ambasadorët e vendeve perëndimore, përfshirë SHBA-në, për të kritikuar vendimin e tyre për të mbyllur përkohësisht misionet diplomatike me pretekstin e kërcënimeve të sigurisë.
“Ne kemi një mbledhje të kabinetit të hënën dhe do marrim vendimet e nevojshme lidhur me këtë lëvizje”, tha kreu turk.
Ambasadorët e Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës, Suedisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar u thirrën gjithashtu në Ministrinë e Jashtme, sipas burimeve diplomatike turke, dhe u tha se akte të tilla të njëkohshme nuk tregojnë një qasje proporcionale dhe të matur, por në vend të kësaj i shërbejnë ‘axhendës tinëzare të grupeve terroriste’.
Më herët, ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu e kishte quajtur masën ‘të qëllimshme’ dhe tha se vendet në fjalë nuk po ndanin informacione apo dokumente konkrete me Ankaranë.