Vendosni fjalën kyçe....

Begaj flet për marrëdhëniet me Ramën e opozitën, nevojën për një ligj për Presidentin dhe një mesazh për zgjedhjet


Presidenti Bajram Begaj në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” me gazetaren Elona Meço foli për disa nga çështjet më të rëndësishme që lidhen drejtpërsëdrejti me kompetencat e tij, marrëdhëniet me opozitën, kryeministrin Edi Rama, nevojën për një ligj për Presidentin si dhe një mesazh për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Begaj theksoi se postin e Presidentin nuk e mat me numrin e kompetencave që ai mbart por me përgjegjshmërinë dhe ndershmërinë në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve.

Nuk e mat postin e Presidentit me numrin e kompetencave që ai ka. E mat me përgjegjshmërinë dhe ndershmërinë e kryerjes së detyrës, në respekt të Kushtetutës dhe në zbatim të plotë të ligjeve. Besoj se kompetencë më të rëndësishme sesa mbrojtja e Kushtetutës nuk ka”- u shpreh Presidenti i Republikës në intervistën për RTSH.

Begaj theksoi se institucioni që ai drejton ka nevojë për një ligj për organizimin dhe funksionimin e Presidentit, duke qenë se ky është organi i vetëm kushtetues pa një ligj të tillë.

Në punën tonë të përditshme vërehen disa problematika që duhen adresuar dhe besoj se adresimi më i mirë i tij do të jetë përmes ligjit të presidentit.”- tha Presidenti.

Begaj, duke folur për marrëdhëniet e tij me kryeministrin dhe opozitën tha se i zhvillon ato brenda kornizës institucionale.

Presidenti Bajram Begaj u tregua shumë i kujdesshëm që të mos etiketojë qeverinë si një pushtet që kërkon kontroll edhe mbi pushtet e tjera, por ai ishte shumë i drejtpërdrejtë në 2 çështje: bashkëpunimin politik dhe zgjedhjet.

Gjej rastin të këmbëngul edhe një herë, që është jashtëzakonisht i nevojshëm bashkëpunimi politik, bashkëpunimi parlamentar, bashkëpunimi ndërinstitucional, të zhvillojmë zgjedhje të lira e të ndershme, të kemi një ekonomi të lirë tregu për të bërë të mundur që të vëmë interesat tona kombëtare mbi interesin tonë personal dhe për ta përcaktuar Shqipërinë si një vend me demokraci të konsoliduar”-deklaroi Begaj.

Begaj dha edhe një mesazh të rëndësishëm për qytetarët dhe institucionet që kanë lidhje me zgjedhjet.

“I bëj thirrje popullit tim të ushtrojë të drejtën e votës dhe të mos lejojë askënd të tjetërsojë dhe të deformojë votën e tyre. I bëj thirrje institucioneve ligjzbatuese dhe që merren me menaxhimin dhe administrimin elektoral të parandalojnë rastet, siç i përmendët dhe ju, të tjetërsimit, të shitblerjes së votës, me qëllim që zgjedhjet e ardhshme lokale të quhen zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme”- u shpreh Presidenti.

Pjesë nga intervista:

Elona Meço: Pra, ia vlen të jesh president, megjithëse kanë mbetur më pak kompetenca të rëndësishme për presidentin pas reformës në drejtësi veçanërisht?

Presidenti Bajram Begaj: Nuk e mat postin e Presidentit me numrin e kompetencave që ai ka. E mat me përgjegjshmërinë dhe ndershmërinë e kryerjes së detyrës, në respekt të Kushtetutës dhe në zbatim të plotë të ligjeve. Besoj se kompetencë më të rëndësishme sesa mbrojtja e Kushtetutës nuk ka.

Elona Meço: Para zgjedhjes suaj si President, Kryeministri Rama premtoi edhe miratimin e një ligji të posaçëm për presidentin, i cili është i vetmi organ kushtetues pa një ligj të veçantë për organizimin dhe funksionimin e tij. Deri tani nuk është bërë, por a mendoni se ky ligj është i nevojshëm për të rregulluar veprimtarinë e presidentit, kompetencat e tij?

Presidenti Bajram Begaj: Siç e përmendët dhe ju, institucioni i Presidentit është një organ kushtetues. Ligji i presidentit është i nevojshëm. Është i nevojshëm për të përcaktuar veprimtarinë e presidentit të Republikës. Është i nevojshëm për të bërë organizimin e brendshëm institucional. Është i nevojshëm për të përcaktuar aktet dhe procedurat që i duhen presidentit për të ushtruar kompetencat e tij. Është i nevojshëm për faktin e plotësimit të rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese.

Elona Meço: Keni diçka në mendje që nuk është ende mirëpërcaktuar?

Presidenti Bajram Begaj: Nuk është një gjë personale që unë e kam në mendje, por në punën tonë të përditshme vërehen disa problematika që duhen adresuar dhe besoj se adresimi më i mirë i tij do të jetë përmes ligjit të presidentit.

Elona Meço: 6 muaj në detyrë janë mjaftueshëm besoj për të vendosur disa korniza institucionale dhe personale me individë të caktuar. Çfarë marrëdhënie keni me kryeministrin Rama?

Presidenti Bajram Begaj: Unë nuk vendos korniza institucionale. Unë respektoj dhe zbatoj kornizat institucionale që ditën e parë që marr detyrën. Korniza institucionale është tërësia e ligjeve, rregullave, procedurave, akteve që rregullojnë funksionin e institucionit dhe marrëdhëniet mes institucioneve. Në çdo detyrë timen të mëparshme, kam zbatuar rigorozisht kornizën institucionale. Dhe në këtë rast, si President i Republikës, nuk e përjashtoj veten nga zbatimi në mënyrë rigoroze i kornizës institucionale. Marrëdhënia ime me kryeministrin Rama dhe me çdo personalitet politik ose jo është në kuadrin e një kornize institucionale.

Elona Meço: Nuk e keni kaluar përtej këtë kornizë, sepse p.sh, kur e prisni apo e përcillni në derën e Presidentit, ju kemi parë të qeshur. Keni një marrëdhënie përtej institucionales?

Presidenti Bajram Begaj: Besoj se ne kemi një kod familje, që, kur përcjellim mikun nga shtëpia e përcjellim deri tek dera jashtë.

Elona Meço: Për shkak të mënyrës që zgjodhi qeveria për emërimin e Presidentit, opozita shprehet skeptike për paanshmërinë tuaj. Ajo as nuk erdhi në seancën e votimit tuaj. Keni bërë ndonjë përpjekje për ta fituar besimin e opozitës?

Presidenti Bajram Begaj: Nuk është qeveria që zgjedh apo emëron Presidentin e Republikës. Procedura është shumë qartë e përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që thotë “Presidenti zgjidhet nga një propozim i bërë nga një grup jo më pak se 20 deputetësh,”…

Elona Meço: Të cilët ishin të gjithë të qeverisë, prandaj iu referova si zgjedhje nga qeveria.

Presidenti Bajram Begaj: Të cilët paraqesin kandidaturën në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi, në seancë plenare, bën votimin e fshehtë dhe pa debat të kandidatit. Në fakt, gjatë gjithë 6 mujorit që jam në detyrë, kam treguar se jam i paanshëm dhe në betimin tim në parlament kam thënë që do të qëndroj mbi palët.

Elona Meço: Si e keni bërë këtë?

Presidenti Bajram Begaj: Në çdo aktivitet, në çdo ceremoni, në çdo iniciativë, në çdo tur që ka zhvilluar Presidenti i Republikës ka patur prezent edhe deputetë të opozitës.

Elona Meço: Më lejoni t’ju pyes, të cilës opozitë? Sepse opozita është e ndarë në dy pjesë. Dhe këtu po kaloj tek pyetja tjetër. Si keni mundur të krijoni nja balancë mes dy pjesëve të PD-së? Merrni një deputet nga zoti Berisha, një nga grupi tjetër parlamentar?

Presidenti Bajram Begaj: Mbështes dhe respektoj opozitën për vlerat që ajo përfaqëson. E konsideroj opozitën shqiptare si shumë të rëndësishme për proceset demokratike të vendit. E shikoj shumë të rëndësishme  për pjesëmarrjen e saj në proceset integruese dhe, çfarë është më e rëndësishme, në reformën në drejtësi. Unë kam komunikim dhe do të vazhdoj të kem komunikim me opozitën shqiptare. Nuk mund të përcaktoj unë se kush është kryetari i opozitës, por që të kem marrëdhënie të mira me ta është absolutisht e nevojshme.

Elona Meço: Pra, ju keni komunikim edhe me pjesën e zotit Berisha, edhe me pjesën e zotit Alibeaj apo jo?

Presidenti Bajram Begaj: Stafi ka komunikim me të gjithë opozitën shqiptare.

Elona Meço: Nuk ndiheni i bojkotuar nga pjesa e zotit Berisha? Zoti Berisha p.sh nuk ishte i pranishëm as në inaugurimin tuaj si president.

Presidenti Bajram Begaj: Kur thashë pak më parë se unë respektoj dhe zbatoj kornizën institucionale, edhe në këtë rast është zbatuar në mënyrë rigoroze protokolli i shtetit.

Elona Meço: Së fundi, ju kthyet për rishqyrtim ligjin për dekoratat. E shihni qeverinë si një rrezik të vazhdueshëm për të kontrolluar çdo pushtet dhe për të marrë çdo kompetencë, deri tek dekoratat dhe medaljet?

Presidenti Bajram Begaj: Është e vërtetë që kam kthyer për rishqyrtim në parlament ligjin për dekoratat. Kthimi i një ligji për rishqyrtim në parlament nuk e vendos Presidentin në pozita rreziku, por në respekt të Kushtetutës. Nuk mendoj se heqja e një kompetence, siç është ligji për medaljet, do ta rëndonte pozitën e Presidentit apo do të shtonte pozitën e qeverisë. Nuk e shoh si rrezik.

Elona Meço: Shqetësimi juaj kryesor për këtë ligj cili është?

Presidenti Bajram Begaj: Shqetësimi ynë kryesor është që të respektohet Kushtetuta.

Elona Meço: Që do të thotë që qeveria të mos marrë më shumë kompetenca sesa i jep Kushtetuta apo jo?

Presidenti Bajram Begaj: Çdo ligj duhet të ketë kornizën kushtetuese dhe atë ligjore. Kështu që të dyja duhen respektuar.

Elona Meço: Ju, nuk e shikoni qeverinë, siç e kuptoj unë, si një rrezik për marrjen e kompetencave të pushteteve të tjera apo organeve të tjera kushtetuese siç jeni  ju, por cili është opinioni juaj personal dhe si president gjatë këtyre 6 muajve, për funksionimin e demokracisë në vend? Kemi ne zgjedhje të lira e të ndershme, ekonomi të lirë tregu, konkurrencë të barabartë?

Presidenti Bajram Begaj: Mendoj që demokracia është si një ndërmarrje e përbashkët. Fati i demokracisë varet nga të gjithë ne. Kam lexuar me shumë kujdes të gjithë raportet e vlerësimit të bëra nga institucionet ndërkombëtare, siç është progres raporti i Komisionit Europian, raporti i Freedom House, raporti i Praktikave dhe Lirive të Njeriut, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe shumë raporte të tjera nga institucione shqiptare. Në të gjitha këto raporte përcaktohet se Shqipëria ka një demokraci në tranzicion, me institucione demokratike të brishta. Gjej rastin të këmbëngul edhe një herë, që është jashtëzakonisht i nevojshëm bashkëpunimi politik, bashkëpunimi parlamentar, bashkëpunimi ndërinstitucional, të zhvillojmë zgjedhje të lira e të ndershme, të kemi një ekonomi të lirë tregu për të bërë të mundur që të vëmë interesat tona kombëtare mbi interesin tonë personal dhe për ta përcaktuar Shqipërinë si një vend me demokraci të konsoliduar.

Elona Meço: Si mund të kemi një bashkëpunim kur njëra palë akuzon tjetrën se ka blerë, manipuluar blerë zgjedhjet?

Presidenti Bajram Begaj: Unë nuk jam partizan i retorikave boshe. Unë mendoj që bashkëpunimi është i nevojshëm dhe, pavarësisht se jemi njerëz të ndryshëm, kemi opinione të ndryshme, nuk është pengesë të ulemi në një tavolinë, të ndajmë shqetësimet, të gjejmë rrugët e bashkëpunimit  dhe rrugët e zgjidhjes. Çdo njeri, çdo forcë politike që ka një akuzë të caktuar për individë apo grup individësh duhet t’u drejtohet organeve kompetente.

Elona Meço: Kjo ka ndodhur dhe organet kompetente nuk i kanë hetuar kurrë ata që kanë qenë në akuzëkryesore për vjedhjen e votave, siç ishte rasti i dosjes 184, rasti i dosjes 339.

Presidenti Bajram Begaj: Nuk mund të paragjykoj punën  e institucioneve të tjera, aq më tepër institucioneve të drejtësisë. Reforma në drejtësi është miratuar me votat e 140 deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë.

Elona Meço: Zgjedhjet janë përpara, por këtu gjithmonë ka patur akuza dhe mospranim të rezultatit për shkak të asaj që njihet si blerje  e votave. A e shihni këtë si fenomen që mund të prekë edhe këto zgjedhje?

Presidenti Bajram Begaj: Dua të sjell në vëmendje, nëpërmjet kësaj pyetjeje, nenin 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që thotë se “sovraniteti i përket popullit”, si dhe nenin 45, pika a, që thotë se “çdo shtetas në moshën 18 vjeç ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedhë. Në po këtë nen, pika 4, thuhet se “vota është vetjake, është e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.” Pse zgjodha këta dy nene? I zgjodha për t’iu adresuar popullit tim që t’i shfrytëzojë këta dy nene për të ushtruar të drejtën e votës dhe të mos lejojë askënd të tjetërsojë dhe të deformojë votën e tyre. Me këtë rast, i bëj thirrje institucioneve ligjzbatuese dhe që merren me menaxhimin dhe administrimin elektoral të parandalojnë rastet, siç i përmendët dhe ju, të tjetërsimit, të shitblerjes së votës, me qëllim që zgjedhjet e ardhshme lokale të quhen zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme.