Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Drejtësia amerikane nuk po i ndahet Ramës, ne nuk i ndahemi derisa ta largojmë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se çdo ditë dalin fakte në SHBA për Edi Ramën për qëndrimin e tij armiqësor ndaj vendit mik dhe partner të Shqipërisë. 

Sipas Berishës drejtësia amerikane nuk po i ndahet Ramës, ndërsa detyrë e shqiptarëve është ta largojnë atë nga pushteti. 

“Sado të flasësh për të, nuk mund ta përshkruash. Koha është të veprojmë, koha është ta largojmë një minutë e më parë nga pushteti.
Superskandali me McGonigal, çdo ditë është kryetemë në mediat e SHBA. Edhe sot CNN e kishte kryetemë. Ky superskandal së pari është një akt i mirëfilltë armiqësor ndaj SHBA që kurrë një shqiptar nuk mund ta ndërmarrë. Ata janë përgjegjësi numër 1 për lirinë e botës, për sigurinë e NATO-s, ata kanë aleanca të tjera përveç NATO-s në Paqësor e tjerë me radhë dhe ky njeri sikur të ishte Llukashenko, u korrupton njërin nga njerëzit më kryesorë të kundërzbulimit dhe pse e korrupton, për të luftuar opozitën në vendin e tij. 

Imagjinoni ju se çfarë përfaqëson ky për ne. Ky përfaqëson një turp të tmerrshëm kombëtar. Përfytyroni për një moment samitin e NATO-s. Si mund të shkojë ky përfaqësues i yni në atë samit, çdo shqiptari i mbetet turpi nëse kjo ndodh. Çdo kryeministër në çdo vend të botës, po ti kishte shpërthyer një skandal i tillë, duhej të kishte dhënë dorëheqjen. 

Ky nuk jep dorëheqjen, por ne duhet ta largojmë atë me çdo kusht. Ky ka mendësinë më të ligë të paraardhësve të tij. Ky tregon se ndaj kundërshtarit është i aftë të ndërmarrë çdo gjë. Por jo vetëm ndaj kundërshtarit. Ky do një Shqipëri pa opozitë. Por një Shqipëri pa opozitë është një gjëmë kombëtare për shqiptarët dhe Shqipërinë. 

Alisonit i detyrohemi të gjithë. Jo rastësisht ajo dha një intervistë në një televizion shqiptar, sepse kishte ndjerë, perceptuar se afera shqiptare ishte nga aferat më të shpifura. Një kryeministër që blen, paguan, kundërzbuluesin e FBI-së si vrasës me pagesë kundër opozitës shqiptare. Nuk është vetëm ky, ta keni të qartë. McGonigal të tjerë ka në mënyrë absolute. Por ajo çka mbetet është një përpjekje më absurde për të shkatërruar opozitën në një vend. Dhe këtë e bëri Edi Rama. 

Bleu deklarata, bleu njerëz, diplomatë, parlamentarë, zyrtarë, mbështetje, bleu çdo gjë. Dhe nëqoftëse ktheheni për një moment dhe rikujtoni deklaratat e bëra, deklaratat kritike ndaj tij janë ekzotike. Të tjerat janë sikur Shqipëria po ecën si shtet ligjor, po zhvillohet, jo si gjenerator kryesor i krimit, korrupsionit dhe refugjatëve, tmerr. Por të gjitha këto duhet t’i arkivojmë në të shkuarën. Të gjitha këto na thërrasin ne për revolucion. 

Na thërrasin ne për një revolucion i cili nuk duhet të njohë asgjë tjetër përveç fitores. Edi Rama nuk ikën, ne nuk i ndahemi deri sa ta largojmë, në SHBA nuk po i ndahen. Çdo ditë mediat e mëdha amerikane merren me të. Ky është këtu dhe ne çdo ditë do të merremi me të gjer në largimin e tij. Çdo ditë duhet të punojmë kundër tij. Çdo ditë duhet të përpunojmë skenare kundër tij dhe regjimit të tij, duhet të bëjmë gjithçka për fitoren e kandidatëve tanë për zgjedhjet e 14 majit“, u shpreh Berisha.