Superylli i popit Beyonce theu rekordin për më shumë çmime në karrierë në çmimet Grammy, në ceremoninë e së dielës, por humbi përsëri në kategorinë e albumit prestigjioz të vitit, që këtë here shkoi për këngëtarin britanik Harry Styles.
Beyonce shtoi katër çmime Grammy në koleksionin e saj, duke e çuar numrin e përgjithshëm gjatë karrierës në 32 e duke tejkaluar numrin e dirigjentit të ndjerë klasik Georg Solti. Ajo u nominua për nëntë çmime këtë vit.
Pavarësisht suksesit të saj ndër vite, këngëtarja 41-vjeçare e ‘Break My Soul’ nuk e ka fituar kurrë trofeun e albumit më të mirë me asnjë nga katër nominimet e saj në këtë kategori. Styles e mori atë nder të dielën për albumin ‘Harry’s House’.
Ish-këngëtari i ‘One Direction’ triumfoi mbi një listë të frikshme të pretendentëve për albumin më të mirë që përfshinte Beyonce, reperin portorikan Bad Bunny, këngëtaren dhe flautisten Lizzo, vokalisten britanike Adele dhe grupin suedez të hiteve të epokës disko, ABBA.
“Po përpiqem të mos jem shumë emocionale. Po përpiqem ta pranoj këtë natë,” tha Beyonce.
“Dua të falënderoj Zotin që më mbrojti. Faleminderit Zot.”
Ajo falënderoi gjithashtu familjen e saj dhe ‘komunitetin queer për dashurinë e shpikjen e zhanrit’.