Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar se Turqia shpall shtatë ditë zie kombëtare pas tërmeteve vdekjeprurëse që goditën disa provinca jugore të vendit.
“Për shkak të tërmeteve që ndodhën në vendin tonë më 6 shkurt, është shpallur shtatë ditë zie kombëtare. Flamuri ynë do të qëndrojë në gjysmështizë deri në perëndimin e diellit të të dielës së 12 shkurtit në të gjithë vendin tonë dhe përfaqësitë e huaja”, njoftoi presidenti Erdogan në Twitter.
Të paktën 1.651 persona humbën jetën dhe 11.119 të tjerë u plagosën në dhjetë provinca si pasojë e dy tërmeteve të fuqishme që goditën Turqinë jugore.
Herët në mëngjesin e sotëm, një tërmet i fuqishëm 7.7 ballë me qendër në rrethin Pazarcık tronditi qytetin Kahramanmaraş dhe preku rëndë disa provinca, përfshirë Gaziantep, Sanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.
Më vonë pasdite, një tërmet tjetër 7.6 ballë sërish goditi qytetin Kahramanmaras dhe këtë herë ishte me qendër në rrethin Elbistan.