Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kurti tha se “e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, sipas REL.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin – më 2013 dhe 2015 – por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha më 2015 se marrëveshjet nuk ishin plotësisht në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit, por që mund të harmonizohen.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se tani është koha të themelohet Asociacioni, duke insistuar se Uashingtoni nuk do të përkrahë një asociacion që do t’i ngjasonte Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.
Kurti kundërshton një asociacion njëetnik, duke argumentuar se do të minonte shtetësinë e Kosovës, teksa Serbia insiston që ai të ketë kompetenca ekzekutive.
Ndërkaq, më herët, gjatë së hënës, u takua me ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë.
Sipas njoftimit për media të Zyrës së Kryeministrit, temë qendrore e diskutimit ishte procesi i dialogut, propozimi evropian dhe rruga përpara.
Në njoftim thuhet se Kurti i njoftoi diplomatët me qëndrimet e Qeverisë, përfshirë këtu edhe gjashtë kushtet për themelimin e Asociacionit, të cilat kryeministri i prezantoi më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.
Vuçiq, në anën tjetër, i ka konsideruar këto kushte si “përralla“.
Së fundmi, SHBA-ja dhe BE-ja kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të shtyrë Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plot të raporteve.
Në këtë kuadër, BE-ja u ka dorëzuar palëve vitin e kaluar një plan që njihet si plani evropian, për normalizimin e plotë të raporteve.
Kryeministri Kurti e ka cilësuar planin evropian – apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman – si bazë të mirë për negociata, por ka shtuar se plani nuk është marrëveshje përfundimtare.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – që ka mbështetjen edhe të SHBA-së – që nga viti 2011. Procesi synon të normalizojë raportet mes shteteve. Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit. Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.