Presidenti Begaj, ministrja e Jashtme Xhaçka e kreu i Partisë së Lirisë Meta kanë shprehur solidaritet me Turqinë pas tërmetit shkatërrimtar që goditi juglindjen e vendit duke shkaktuar mbi 500 viktima në Turqi e Siri.
“Thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme. Mendimet dhe lutjet tona të sinqerta janë me ata.” – shkruan Begaj.
Ndërsa ministrja Xhaçka shkruan se Shqipëria është e gatshme të ndihmojë Turëinë në çdo mënyrë që mundet.
“Lutjet tona shkojnë për viktimat e tërmetit tragjik që goditi Turqinë dhe Sirinë sot duke shkaktuar qindra viktima. Në këtë moment të vështirë ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Turqinë në çdo mënyrë që mundemi.” – shkruan Xhaçka.
Kreu i Partisë së Lirisë Meta shkruan se shpreson për sa më pak viktima e shërim të shpejtë të të plagosurve.
“Në këto momente shumë të vështira të përballjes me tërmetin shkatërrimtar që goditi Turqinë e Sirinë natën e mbrëmshme, lutjet tona shkojnë për viktimat e shumtë që humbën jetën tragjikisht, duke shpresuar për sa më pak viktima të tjera në njerëz dhe një shërim të shpejtë të të plagosurve.” – shkruan Meta.