Vendosni fjalën kyçe....

4349 viktima e rreth 20 mijë të plagosur në Turqi e Siri nga tërmeti shkatërrimtar, katastrofa më e madhe prej viti 1939


Të paktën 3381 njerëz kanë humbur jetën dhe 15,834 të tjerë janë plagosur në 10 provinca të Turqisë pas dy tërmeteve të forta që tronditën pjesën jugore të vendit, tha një zyrtar nga agjencia e fatkeqësive të vendit të martën herët.

Ndërkohë në Sirinë fqinje numri i viktimave nga tërmeti ka shkuar në 968 deri tani, ndërsa numri i të lënduarve është mbi tre mijë.

Të hënën herët në mëngjes, një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 goditi qarkun Pazarcik të provincës Kahramanmaras dhe tronditi fuqishëm disa provinca të tjera, duke përfshirë Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, Adana, Adiyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

Më pas në orën 13.24, një tërmet me magnitudë 7.6 me qendër në rrethin Elbistan të Kahramanmaras goditi rajonin.

Yunus Sezer, kreu i Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), tha se tërmetet u pasuan nga 243 pasgoditje dhe 6,217 ndërtesa u shembën.

Rreth 16,400 personel kërkimi-shpëtimi po punojnë në rajon, tha Sezer, duke shtuar se 65 vende kanë ofruar ndihmë deri më tani.

Nënpresidenti i Turqisë Fuat Oktay tha se 338,000 personat e mbetur pa banesë nga tërmeti janë strehuar në konvikte, universitete dhe strehimore.

Orhan Tatar, menaxheri i përgjithshëm i AFAD për reduktimin e rrezikut, tha më herët gjatë ditës se 250 milionë lira turke (rreth 13.3 milionë dollarë) në fonde emergjente ishin dërguar në provincat në zonën e fatkeqësisë deri më tani.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha tërmeti i së hënës është ‘katastrofa më e madhe’ që nga tërmeti i vitit 1939 në Erzincan.

Zv.presidenti Oktay u bëri thirrje të gjitha mediave, institucioneve dhe organizatave që të mbështeten në deklaratat zyrtare për t’u mbrojtur nga dezinformatat.

Ministri i Arsimit Kombëtar Mahmut Ozer tha se arsimi në Turqi është pezulluar deri të hënën e ardhshme, 13 shkurt.

Ministri i Rinisë dhe Sporteve Mehmet Kasapoglu tha se të gjitha ngjarjet sportive kombëtare në Turqi janë pezulluar deri në një njoftim të dytë.