Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi pas mbledhjes së konferencës së kryetarëve se kërkesa e opozitës për të ngritur një komision hetimor për çështjen e ish zyrtarit të FBI, Charles McGonigal, do të shqyrtohet pasi të ndryshohet ligji për Komisionet Hetimore.
Balla tha se vetë Kuvendi ka vendosur ngritjen e një komisioni të posaccëm për të ndryshuar këtë ligj.
“Kemi diskutuar në konferencën e kryetarëve, që për pasojë të kërkesave të ardhura nga deputetë e opozitës parlamentare për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore, nevojën e implementimit të 6 vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për këtë ccështje kemi vendosur dhe më pas votuar në seancë me 23 janar një komision të posaçëm parlamentar për ndryshimin e ligjit. Ndaj po them se kërkesa nuk është marrë fare në shqyrtim por në respekt të kërkuesve kemi kërkuar që ky shqyrtimi i kërkesës të bëhet pasi të bëhen ndryshimet ligjore”, tha Balla.
Por Balla ngriti një shqetësim për deputetët që kishin firmosur kërkesën pasi sipas tij ka firma të falsifikuara pasi disa deputetë ndodheshin jashtë vendit.
“Që të guxojnë deputetë që nga SHBA-të ku ndodhen për qejf apo për vizitë të firmosin kërkesa që depozitohen në Kuvend, që të ketë deputetë që në një shkresë të kenë një firmë dhe nënshkrim dhe në një shkresë tjetër nënshkrim dhe firmë tjetër, që Kuvendi të mos investohet në një kallëzim për falsifikim ta tërheqin kërkesën ose të paktën firmat. Ata kanë edhe një vrap se kush e depoziton i pari. S’ka pasur ndonjëherë situatë më qesharake që dy grupe të opozitës turren me vrap kush do ta dorëzojë i pari kërkesën”, tha Balla.