Në Shqipëri 21.2 për qind e energjisë që shkon për ngrohje dhe ftohje vjen nga burimet e rinovueshme.
Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se kjo është afër mesatares së Bashkimit Europian që llogaritet në 22.9 për qind. Niveli që paraqet vendi ynë sigurisht që mbetet larg vendeve të tilla si Suedia që është kampione me 68.8 të ngrohje-ftohjes nga energjia e rinovueshme por shfaqet më mirë se Italia, Hungaria Spanja apo Gjermania.
Rritja e përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë shihet e lidhur direkt me objektivat e gjelbër duke minimuzar kështu ndotjen por për ekonomitë e mëdha për shkak të industrive kjo është e vështirë. Avantazhi i Shqipërisë në këtë aspekt lidhet drejtpërdrejt me faktin që ne kemi prodhimin e energjisë tërësisht nga burime të rinovueshme kryesisht nga hidro.
Energjia për ngrohje dhe ftohje sipas Eurostat përfaqëson pothuajse 50% të konsumit total bruto të energjisë finale të BE-së.
Në terma absolutë, konsumi përfundimtar bruto i energjisë së rinovueshme për qëllime ngrohjeje dhe ftohjeje në BE është rritur gradualisht me kalimin e kohës (kryesisht për shkak të kontributit të biomasës dhe pompave të nxehtësisë).
“Megjithatë, për vitin 2021, konsumi bruto i të gjitha karburanteve u rrit gjithashtu kryesisht për shkak të rimëkëmbjes ekonomike pas heqjes së kufizimeve të COVID-19. Si rezultat, pjesa e energjisë së rinovueshme në konsumin përfundimtar bruto për qëllime ngrohje dhe ftohje u ul me 0,1 pikë përqindje (pp), nga 23,0% në 2020 në 22,9% në 2021. Kjo është pothuajse dyfishi i vlerës në 2004 (11,7%).
Zhvillimet në sektorin industrial, shërbimet dhe ekonomitë familjare (përfshirë elektrifikimin e ngrohjes duke përdorur pompat e nxehtësisë) kontribuuan në rritjen e energjisë së rinovueshme në ngrohje dhe ftohje” thuhet në njoftimin e Eurostat.
Sipas të dhënave ndër vendet anëtare të BE-së, Suedia ishte ajo që ra në sy me më shumë se dy të tretat (68.6%) të energjisë së përdorur për ngrohje dhe ftohje në vitin 2021 që rrjedh nga burimet e rinovueshme (kryesisht biomasa dhe pompat e nxehtësisë), e ndjekur nga Estonia (61.3%), Letonia (57.4%) dhe Finlanda (52.6%), të gjitha duke përdorur një pjesë të madhe të biomasës.
Nga ana tjetër, përqindjet më të ulëta të burimeve të rinovueshme për ngrohje dhe ftohje u regjistruan në Irlandë (5.2%), Holandë (7.7%) dhe Belgjikë (9.2%).
Të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së raportuan një rritje nga viti 2004 në 2021. Rritjet më të larta u regjistruan në Qipro (+32,1 pikë përqindje; pp), e ndjekur nga Malta (+30,3 pp), Estonia (+28,0 pp) dhe Suedia (+22,7 pp) . Rritje më të vogla u regjistruan në Irlandë (+2.3 pp), Belgjikë (+6.3 pp) dhe Holandë (+5.5 pp)./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor