Vendosni fjalën kyçe....

Kina ndërton stacion të ri satelitor në Antarktidë


Korporata e Shkencës dhe Industrisë së Hapësirës Ajrore të Kinës (CASIC) ishte përzgjedhur për të ndërtuar një stacion të ri tokësor në Antarktidë për t’i shërbyer Shërbimit Kombëtar Satelitor të Kinës (NSOAS).

Që nga viti 2002, Kina ka lëshuar tetë satelitë vëzhgimi të oqeanit në orbitë për qëllime të ndryshme duke përfshirë analizën oqeanografike, shfrytëzimin e burimeve, studimin e ekologjisë bregdetare dhe mbikëqyrjen e fatkeqësive.

Një satelit i nëntë është planifikuar të hidhet këtë vit. Stacioni i ri tokësor i Antarktidës do lehtësojë transmetimin e të dhënave nga këta satellite, shkruan Asia Times.

Antenat e reja dhe terminali pritës do ndërtohen në bazën kërkimore shkencore Zhongshan të Kinës, e quajtur gjithashtu ‘stacion’, që ndodhet në Antarktidën Lindore pranë Gjirit Prydz, përballë Oqeanit Indian.

Zhongshan është një nga pesë stacionet kërkimore të Antarktidës që menaxhohen nga Instituti i Kërkimeve Polare të Kinës. Sipas rendit të themelimit, ato janë:

Stacioni Great Wall (1985), Ishulli King George, Ishujt Shetland të Jugut

Stacioni Zhongshan (1989), Toka e Princeshës Elizabeth, Antarktida Lindore

Stacioni Kunlun (2009), Toka e Princeshës Elizabeth, Antarktida Lindore

Stacioni Taishan (2014), Toka e Princeshës Elizabeth, Antarktida Lindore

Stacioni i 5-të Antarktik (Baza e Përhershme Victoria) (2022), Ishulli pa emër, Deti Ros

Kili, Argjentina, Norvegjia, Britania e Madhe dhe Franca pretendojnë gjithashtu territorin e Antarktidës. Dymbëdhjetë vende kanë stacione kërkimore në ishullin King George.

Neni IV i Traktatit të Antarktidës thotë:

“Asnjë akt ose aktivitet që zhvillohet gjatë kohës që ky Traktat është në fuqi nuk do të përbëjë bazë për të pohuar, mbështetur ose mohuar një pretendim për sovranitet territorial në Antarktidë ose për të krijuar ndonjë të drejtë sovraniteti në Antarktidë. Asnjë pretendim i ri, ose zgjerim i një pretendimi ekzistues për sovranitet territorial në Antarktidë nuk do të ngrihet gjatë kohës që ky Traktat është në fuqi.”

Ndërsa Neni I thotë:

“Antarktida do përdoret vetëm për qëllime paqësore. Ndër të tjera do ndalohet çdo masë e karakterit ushtarak, si ngritja e bazave dhe fortifikimeve ushtarake, kryerja e manovrave ushtarake, si dhe testimi i çdo lloj arme.

Ky Traktat nuk do të ndalojë përdorimin e personelit ushtarak ose të pajisjeve për kërkime shkencore ose për ndonjë qëllim tjetër paqësor.”

Deri në vitin 2020, Kina kishte qasje në stacionet tokësore në Australi, Kili dhe Suedi sipas kontratave afatgjata me Korporatën Hapësinore Suedeze. Sipas zëdhënësit të korporatës, ato kontrata nuk u rinovuan për shkak të ndryshimeve në situatën gjeopolitike.

Kina në çdo rast ka ndërtuar rrjetin e saj të gjerë të stacioneve tokësore satelitore në mbarë botën. Vetëm në Amerikën e Jugut, ajo ka 11 stacione – dy në Venezuelë, tre në Bolivi, një në Kili, një në Brazil dhe katër në Argjentinë. Kina thuhet se planifikon të lëshojë më shumë se 200 satelitë këtë vit.