Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori King Smith: Gjatë 2023 do shpallim politikanë e biznesmenë non grata të lidhur me krimin e korrupsionin


Politikanë dhe biznesmenë shqiptarë do të sanksionohen dhe shpallen non grata nga Britania gjatë vitit 2023, deklaroi Ambasadori, Alastair King Smith nga Elbasani.

Ambasadori tha se masat do të merren për personat që kanë lidhje me korrupsionin dhe kriminalitetin.

“Gjatë këtij viti do të ketë aksione të mëtejshme. Gjatë vitit 2023 do të sanksionohen politikanë dhe biznesmenë shqiptarë. Do të ketë të tjerë non-grata për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë E kemi bërë të qartë se ne do të marrim masa në lidhje me personat që kanë lidhje me korrupsionin dhe krimininalitetin. Ato ishin të parat dhe do ndërmarrim të tjera masa për pandëshkueshmërinë. Këto vendime janë ndërmarrë edhe për të ndihmuar aksionet e institucionit të drejtësisë..’- ka thënë Alastair King Smith.

Ambasadori King Smith foli edhe për emigracionin duke thënë se Britania është duke impementuar marrëveshjen e arritur më 13 dhjetor me qeverinë shqiptare.

Ai bëri thirrje që shtetasit shqiptarë të mos zgjedhin format ilegale për të emigruar.

“Në fund dua të flas dhe për emigracionin. Jemi shumë të trishtuar që shohim shumë shqiptarë po ikin nga Shqipëria në mënyrë të paligjshme. Mesazhi, mos shkoni në këtë formë. Është shumë e trishtë të shohësh se si trafikantët që tregojnë se sa i lehtë është udhëtimi dhe jeta atje, por e vërteta nuk është ashtu siç tregohet nga trafikantët. Britania po implementon marrëveshjen e arritur 13 dhjetor me qeverinë shqiptare”, tha ambasadori britanik.