Vendosni fjalën kyçe....

Aplikacioni “Aktivisti”/ Rama: Janë shqetësuar kundërshtarët e çoroditur. Opozita: Mjet terrori psikologjik kundër administratës


Aplikacioni “Aktivisti” është futur në qendër të vëmendjes së debatit politik midis mazhorancës dhe opozitës.

Opozita e quajti aplikacionin një mjet terrori psikologjik kundër administratës duke përmendur dhe një listë që sipas tyre gjenden edhe emra prokuorësh e gjykatësish.

Nga ana tjetër Edi Rama në një reagim nuk u është përgjigjur drejtpërdrejt akuzave të opozitës por ka inkurajuar “aktivistët” duke snobuar kundërshtarët politikë.

Ai i ka dhënë zemër aktivistëve për të vijuar betejën.

Deklarata e opozitës:

Raportimet mediatike e përshkruajnë aplikacionin Aktivisti si një mjet terrori psikologjik kundër administratës. Nëpunësit publikë, nëse nuk u bëjnë like dhe share aktiviteteve të kryeministrit dhe ministrave kërcënohen me largim nga puna, dhe nëse janë aktivë shpërblehen me pikë, që shërbejnë si bonus për promocione dhe deri në shpërblime financiare “cash”, sipas raportimeve të besueshme.

Partia Demokratike është kundër çdo detyrimi dhe përdorimi të administratës publike për punë partie. Sidomos kur këto punë kanë të bëjnë jo me shtetin por me pushtetin, dhe me kultin e individit të kryeministrit dhe ministrave.

Thënë këtë ne i ndajmë nëpunësit publikë nga patronazhistët dhe jemi në krah të parëve dhe kundër banalitetit dhe shpërdorimit të të dytëve.

Ne e dimë se nëpunësit publikë janë të kërcënuar dhe të trysnuar dhe, le të gjejnë te Partia Demokratike, jo vetëm një forum publik ku mund të denoncojnë abuzimet, por edhe premtimin e saj se në të ardhmen, administrata nuk do dhe nuk mund të përdoret si kafshë barre e propagandës partiake.

Megjithatë, e reja dhe as shkelja në këtë aplikacion të kontrollit, censurës dhe abuzimit nuk janë punonjësit e administratës, por prokurorët dhe gjyqtarët e asaj që publikut i thuhet se është drejtësia e re.

Qindra prej tyre gjenden në listën e abonentëve të këtij aplikacioni. Qindra prej tyre në shkelje të detyrës, statusit dhe ligjit bëjnë propagandë për Partinë Socialiste dhe qeverinë.

Gjeni aty emra të njohur, që nga Ina Rama, ish-prokurorja dhe deri te Alfred Balla, i Këshillit të lartë të Prokurorisë, apo Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme. Gjykatësit dhe prokurorët nga rrethet janë të pafund. Kjo dëshmon edhe njëherë atë që është thënë nga kjo foltore qindra here: Reforma është bërë për partinë dhe jo Shqipërinë. Një vend të cilit gjyqtarët dhe prokurorët i shërbejnë si aktivistë partiakë është një republikë bananesh.

Kujt t’i bësh thirrje në këtë rast? Tradita e ka që t’i drejtohesh drejtësisë që të hapë një hetim. Por jemi në rastin kur problemi është me prokurorët dhe gjyqtarët. Janë ata që kanë shkelur ligjin dhe kodet etike duke e bërë veten subjekt të mundshëm të drejtësisë.

Kush i heton ata që duhet të hetojnë.

Kush e vendos drejtësinë, kur ata që duhet të vendosin drejtësinë janë promotorë të padrejtësisë?

Deklarata e Kryeministrit Rama:

Të dashur aktivistë të Partisë Socialiste,

siç edhe ju’a kisha thënë, ja ku erdhi dita që i harruan patronazhistët dhe u turrën mbi aktivistët.

Urime për pagëzimin tuaj në baltën e djajve, e cila është prova e relevancës në skenën e betejave politike dhe sociale në këtë vendin tonë të vogël e të bukur, por me zhurmaxhinj e ligësira që s’të ndahen.

Tani ju mund të ndjeheni realisht të vlerësuar si një forcë e re në fushëbetejë e në ndërkohën që patronazhistët e kalitur në përballje të shkuara, po përgatiten të hyjnë së shpejti në skenën e betejës së radhës, si një forcë e sprovuar më shumë se sa njëherë, ju jeni në sprovën tuaj të parë dhe ja urdhëro si erdhi puna, ende pa mbaruar nxemjen i keni shqetësuar shumë kundërshtarët tanë të dëshpëruar e të çoroditur

Përgëzime

Tani futini një marsh tjetër jashtë programit, që ta shohin të paudhët se sa gabim bëjnë kur na e rrisin adrenalinën, duke na ngacmuar edhe kur s’kanë parë gjë akoma.