Vendosni fjalën kyçe....

Cilët ishin tërmetet më shkatërruese të këtij shekulli


Tërmeti që goditi Turqinë të hënën ka vrarë deri tani më shumë se 7100 njerëz ndërsa të plagosurit numërohen mbi 37 mijë, duke bërë që Ankaraja zyrtare ta përshkruajë atë si më shkatërruesin që ka parë kombi në dekada.

Fatkeqësia nuk u kufizua vetëm në Turqi, pasi Siria ka konfirmuar mbi 2500 viktima dhe mijëra të lënduar. Po cilët janë tërmetet  më shkatërrimtaretë këtij shekulli?

2004: Horrori i Oqeanit Indian

Fillimi i viteve 2000 pa një valë tërmetesh shkatërruese. Në dhjetor 2004, një tërmet me magnitudë 9.3 ballë, i treti më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë, goditi duke pasur epiqendrën në brigjet perëndimore të Indonezisë.

Goditja provokoi një cunami gjigant 30 metra të lartë që shkatërroi komunitetet përgjatë brigjeve të Oqeanit Indian, duke vrarë gjithsej 227,898 njerëz në 14 vende, duke e bërë kështu fatkeqësinë natyrore më vdekjeprurëse të regjistruar në histori.

Përveç numrit masiv të vdekjeve, infrastruktura u shkatërrua dhe aktiviteti ekonomik u ndërpre në të gjithë rajonet bregdetare si Aceh i Indonezisë dhe provincat Tamil Nadu të Indisë. Tërmeti ishte aq i fuqishëm sa që shkaktoi edhe ngjarje më të vogla sizmike deri në Alaskë.

2010: Katastrofa në Karaibe

Në janar 2010, një tërmet me magnitudë 7.0 goditi vendin ishullor të Karaibeve të Haitit. Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit Leogane, vetëm 25 km larg kryeqytetit Port-au-Prince.

Pasgoditjet e shkaktuara nga tërmeti vazhduan për gati dy javë dhe përfshinin të paktën 52 lëkundje më të vogla me magnitudë 4.5 ose më shumë.

Fatkeqësia preku rreth 3 milionë njerëz. Qeveria haitiane tha gjithashtu se fatkeqësia mori rreth 220,000 jetë. Rreth 250,000 banesa dhe 30,000 ndërtesa tregtare u shkatërruan, ndërsa dëme të mëdha u shkaktuan në Port-au-Prince dhe disa qytete të tjera.

2011: Fatkeqësia më e keqe që nga Çernobili

Në mars 2011, një tërmet megatrosti nënujor goditi me epiqendër në Oqeanin Paqësor, rreth 72 km në lindje të Japonisë. Me një magnitudë 9.1, ai ishte tërmeti i dytë më i fuqishëm i shekullit të 21-të dhe i katërti më i madhi i regjistruar ndonjëherë që nga krijimi i praktikave moderne të mbajtjes së të dhënave në vitin 1900.

Tërmeti mori jetën e më shumë se 19,700 njerëzve dhe detyroi qindra mijëra të largohen nga shtëpitë e tyre. Një cunami i shkaktuar nga tërmeti çoi në katastrofën e centralit bërthamor të Fukushimës, e cila është përshkruar si katastrofa më e keqe bërthamore që nga Çernobili në vitin 1986.

Tre nga reaktorët e objektit japonez u shkrinë, duke çuar në një shkarkim të ujit radioaktiv në zonën përreth. Banorët në një rreze prej 20 km nga uzina e Fukushimës u evakuuan. Dëmi ekonomik i vlerësuar nga ngjarja arriti në 235 miliardë dollarë, sipas Bankës Botërore, duke e bërë atë fatkeqësinë më të kushtueshme në histori.

2008: ‘Tërmet i madh i Sichuan’

Në maj 2008, një tërmet i fuqishëm goditi provincën e Sichuan në Kinën jugperëndimore. Me një magnitudë 8.0, tërmeti shkaktoi numrin më të madh të gjeo-rreziqeve të regjistruara ndonjëherë, duke përfshirë rreth 200,000 rrëshqitje dheu. U ndje deri në Pekin dhe Shangai, si dhe në Tajlandë dhe Vietnam. Fatkeqësia mori mbi 80,000 jetë dhe la pothuajse 5 milionë njerëz të pastrehë, duke e bërë atë tërmetin më vdekjeprurës në Kinë që nga viti 1976.

2005: Tërmeti i Kashmirit

Në tetor 2005, një tërmet me magnitudë 7.6 goditi pjesën perëndimore të rajonit të Kashmirit të administruar nga Pakistani, si dhe disa zona të territoreve të administruara nga India Jammu dhe Kashmir. Fatkeqësia mori jetën e 86,000 njerëzve dhe la po aq të plagosur, ndërsa miliona u zhvendosën. Katastrofa konsiderohet si më vdekjeprurja në Azinë Jugore.