Ekipet e shpëtimit nxorrën gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur nënën dhe dy vajzat e saj 33 orë pasi një tërmet goditi Turqinë jugore. Shpëtimi u bë në provincën Hatay. Teksa po transportohej për në ambulancë, zemra e njërës prej vajzave pushoi së rrahuri por ajo u ringjall nga ekipet e urgjencës.
Familja është shtruar në spital, shkruan Anadolu Agency.
Po kështu një adoleshent u nxorr i gjallë nga rrënojat në provincën Adiyaman, një nga rajonet e goditura rëndë nga tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë.
15-vjeçari Mahmut Nebi Uygul u dërgua menjëherë në spital. Po kështu edhe i vëllai i tij u nxorr i gjallë dhe u dërgua në një spital në kryeqytetin e vendit Ankara. Një tjetër fëmijë gjashtëvjeçar u shpëtua nga rrënojat e një ndërtese shtatëkatëshe të shembur të martën, disa orë pasi tërmetet e fuqishme goditën Turqinë jugore.
Të hënën herët në mëngjes, një tërmet me magnitudë 7.7 goditi qarkun Pazarcik të provincës Kahramanmaras, më pas rreth nëntë orë më vonë, një tërmet me magnitudë 7.6 me qendër në rrethin Elbistan të Kahramanmaras tronditi rajonin, duke prekur disa provinca të tjera, duke përfshirë Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Hatay, Gaziantep, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.