Dy persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë proceduar penalisht pasi goditën për shkak të detyrës një mjeke në Spitalin Infektiv në Tiranë si dhe dëmtuan dyert dhe dritaret e spitalit.
Policia arrestoi në flagrancë shtetasit I. S., 41 vjeç dhe B. B., 54 vjeç, të dy banues në Tiranë si dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: K. S., 50 vjeç (me precedent të mëparshëm penal), E. Xh., 47 vjeç dhe A. M., 55 vjeç.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se disa shtetas kishin goditur për shkak të detyrës një mjeke dhe kishin dëmtuar ambientet e spitalit ku ajo punonte, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta nga shërbimet e Policisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit I. S., 41 vjeç dhe B. B., 54 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: K. S., 50 vjeç (me precedent të mëparshëm penal), E. Xh., 47 vjeç dhe A. M., 55 vjeç.
Këta shtetas, rreth orës 02:00 të ditës së sotme, në ambientet e një spitali shtetëror, kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës, një mjeke të këtij spitali, me pretendimin për neglizhencë mjekësore ndaj një të afërmi të tyre, që mjekohej në këtë spital, si dhe kanë dëmtuar dyert dhe dritaret e këtij institucioni.
Gjithashtu, këta shtetas nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë që shkuan në vendin e ngjarjes, menjëherë pas marrjes së njoftimit për këtë rast.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Goditje për shkak detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim”-njofton policia.
Për rastin reagoni dhe Ministria e Shëndetësisë e cila tha se mjekja dhe infermierët ishin duke reanimuar një pacient në gjendje të rëndë teksa u goditën dhe u dhunuan nga familjarët e pacientët.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj ekipit të mjekëve dhe infermierëve në Spitalin Infektiv, të cilët kanë qenë në krye të detyrës, duke reanimuar një pacient në gjendje të rëndë, teksa janë goditur dhe dhunuar nga familjarët e pacientit.
MSHMS e konsideron të patolerueshëm çdo akt dhune ndaj personelit shëndetësor dhe inkurajon organet e drejtësisë të çojnë deri në fund zbardhjen e kësaj ngjarjeje, duke çuar para drejtësisë autorin/autorët që kanë ushtruar dhunë ndaj mjekëve dhe infermierëve në detyrë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron qytetarët se shërbimi mjekësor është garantuar dhe do të vijojë të garantohet për çdo qytetar nga personeli shëndetësor i kualifikuar. MSHMS mbështet stafin mjekësor që shërben çdo ditë me përkushtim e profesionalizëm për pacientët dhe dekurajon çdokënd që nxit gjuhën e urrejtjes ndaj mjekëve dhe infermierëve”-shkruan Ministria në deklaratë.