Vendosni fjalën kyçe....

Goldman Sachs parashikon rritje të çmimit të naftës


Nafta do rritet përsëri mbi 100 dollarë për fuçi këtë vit, ndërkohë që rënia e prodhimit global dhe rënia e prodhimit në Rusi për shkak të sanksioneve perëndimore mund të çojnë në probleme furnizimi në vitin 2024, ka paralajmëruar Goldman Sachs.

Sipas analistit kryesor të mallrave të bankës Wall Street, Jeffrey Currie, i cili foli gjatë një konference në Arabinë Saudite të dielën, sanksionet perëndimore mund të shkaktojnë një rënie në furnizimet ruse të naftës në të njëjtën kohë kur rikuperimi i kërkesës në Kinë mund t’i shtyjë çmimet e naftës mbi 100 dollarë. Niveli i tanishëm është rreth 80 dollarë.

“Tani për tani, ne jemi ende të ekuilibruar me një suficit, sepse Kina ende nuk është ende në nivelin e duhur të kërkesës”, tha Currie për Bloomberg.

Sipas analistit, mungesa e investimeve në industri – e nevojshme për të siguruar prodhimin e ardhshëm të naftës për të përmbushur kërkesën në rritje – do ishte një tjetër faktor që do ndikonte në rritjen e çmimeve.

Currie parashikoi se prodhuesit do shfrytëzonin kapacitetin e tyre rezervë, duke e lënë atë më të ulët se më parë. Përfundimisht, kjo do çonte në një çekuilibër serioz midis ofertës dhe kërkesës.

Duke i bërë jehonë vërejtjeve të Currie, ministri i Energjisë i Arabisë Saudite, Princi Abdulaziz bin Salman paralajmëroi gjithashtu për ndikimin negativ të sanksioneve perëndimore kundër Rusisë në tregun global, duke përsëritur se OPEC + do mbetet i kujdesshëm në vendosjen se kur do rrisë prodhimin.

“Të gjitha ato të ashtuquajtura sanksione, embargo, mungesë investimesh, ato do të ndërlidhen në një gjë dhe vetëm një gjë, në mungesë të furnizimeve me energji të të gjitha llojeve kur ato janë më të nevojshme,” tha ai.