Vendosni fjalën kyçe....

Inside Story në TCH “gropos” Arben Ahmetajn


Emisioni “Inside Story” në Top Channel ka publikuar një dokumentar i cili “gropos” ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj.

Nga e kaluara e panjohur me Partinë Demokratike, te akuzat për zhdukjen e dosjes në tatime dhe skandalin me kompaninë “Hermes” e deri te vila e dhuruar nga Klodian Zoto i inceneratorëve janë disa nga temat që “Inside Story” ka prekur për të “groposur” Ahmetajn.

Pirueta politike, zbulohet e kaluara e panjohur e Ahmetaj tek Partia Demokratike

Mbase shumë pak e dinë, por politikani i së majtës Arben Ahmetaj, ofiqet e para të pushtetit i ka pasur pranë demokratëve. Në CV zyrtare, Ahmetaj është kujdesur të fshehë hapat e para në politikë pranë Partisë Demokratike.

Në vitin 1991 që përkon me rënien e diktaturës, Ahmetaj përfundoi studimet për gjuhë angleze në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1992 ai shërben në Ministrinë e Financave si këshilltar i ministrit demokrat Genc Ruli.

Ai la punën në emigracion në shtetin grek ku ishte shpërngulur prej korrikut të vitit 1991 dhe u katapultua pranë njërit prej ministrave më të rëndësishëm të Partisë Demokratike.

Në këtë kohë, Arben Ahmetaj punoi edhe në një projekt të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Projekt që kishte mision për të ndihmuar në transformimin e finanancve shqiptare, nga një shtet komunist në një ekonomi tregu.

Në vitin 1992, ai fiton formimin e parë në profilin ekonomik përmes një kursi 1-mujor në SHBA për mikrokreditë. Deri në vitin 1995 ai ka punuar edhe si Këshilltar për çështjet Fiskale në Bankën e Shqipërisë.

Ahmetaj po i rriste ambiciet dhe kuptoi se me diplomën e një mësuesi anglishteje nuk do të arrinte atje ku donte. Në periudhën mes viteve 1995-1997 ai zhvendoset në SHBA ku kryen studimet master në degën “Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci” në Kentucky të Shteteve të Bashkuara. Më në fund, ai e kishte një diplomë ekonomike, profil që i përshtatej edhe me punën.

Ahmetaj në gjithë rrugëtimin e tij, ka pasur nuhatje të fortë për të qenë me fituesit, por pa fituar kurrë një betejë vetë. Nga demokrat, ai konvertohet në socialist në vitin 1997.

“E gjitha kjo tregon qëllimin për të cilin këta kërkojnë pushtetin dhe qëllimin pse duan të zgjidhen në krye të shteit. Po jo se shqipëria nuk i ka kapacitetet.

Ka njerëz profesionistë por nuk promovohen në pozicione kyçe pasi nuk është ky synimi me të cilin këta vijnë në pushtet” u shpreh pedagogu, Endri Shabani.

 

Si u zhduk dosja e korrupsionit në tatime gjatë periudhës kur drejtonte Ahmetaj

Inside Story, adresoi kërkesë zyrtare për informacion lidhur me çështjen pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ky institucion, konfirmon për herë të parë ekzistencën e një dosje të tillë e cila për vite me radhë është bërë kujdes të fshihet.

Nëse hetimet do të ishin çuar përpara, dosja mund të fundoste nga ish-drejtorin e tatimeve Arben Ahmetaj, e deri tek disa ministra të kohës. Sipas organit qëndror të akuzës, dosja i është përcjellë për hetime të mëtejshme prokurorisë Tiranë përmes shkresës me numër protokolli 339/3 datë 22 Shkurt 2000.

Pra, Arben Ahmetaj dhe disa zyrtarë të tjerë janë hetuar 22 vite më parë për korrupsion në një çështje të mbajtur sekret. Ne u interesuam në Prokurorinë e Tiranës por në protokollin e këtij institucioni nuk ka asnjë të dhënë për ekzistencën e kësaj dosjeje.

Me sa duket, materialet dhe provat hetimore ose janë zhdukur me kohë, ose dikush ka ndërhyrë që skandali të mos zbulohej kurrë. I takon organeve ligjzbatuese të verifikojnë çfarë ka ndodhur me dosjen ku mes shumë zyrtarëve, renditej edhe emri i ish-drejtorit të Tatimeve, sot deputet i Kuvendit pas shkarkimit si zëvendëskryeministër.

Ajo që dihet me siguri është fakti se zyrtarja evropiane Natalia Ceha, e ka depozituar dosjen edhe në qeverinë e kohës dhe disa ministra kanë pasur kopje.

Bie në sy fakti se njerëzit e përmendur për korrupsion në atë dosje, u larguan nga detyrat në heshtje, përfshirë edhe Arben Ahmetajn. Me sa duket, çështjes iu vu kapaku thjesht me largime nga detyra dhe pa cuar para drejtësisë askënd prej zyrtarëve.

“ Veprimtaria e tij e dyshuar dhe denoncuar si korruptive herë me fakte herë me përgjime herë me denoncime shtrihet nga vitet 2000-2021 ku ka ushtru funksione të rëndësishme publike” u shpreh gazetari, Adriatik Doçi.

“Jo vetëm fakti që mund jetë pushuar në atë kohë por hyn në lojë institute parashkrimit të veprës penale, ajo mund të përbëjë indicie për bindje të brendshme për procedim të rregullt ligjor has në vështirësi për institutin e parashkrimit” u shpreh ish prokurori, Eugen Beçi.

Oktapodi i kompanive dhe transaksioneve për të fshehur skandalin “Hermes”

Në nëntor të vitit 2006 përmes këtij dokumenti që shihni, Ahmetaj e bashkon me përthithje “Hermes” me kompaninë “H-Communication”.

Emri “Hermes” zhdukej. Emri i kompanisë së re do të ishte “H-Communication”. Në momentin e bashkimit, Ahmetaj kontrollonte përmes bashkëshortes 65 % të aksioneve.

Paketa e mbetur prej 35 % ishte në pronësi të Vilma Nushit. Kjo e fundit, ka marrë konçesionin e Chek-Up në Shëndetësi në vitin 2013, kohë kur ortaku i saj Arben Ahmetaj u bë ministër i Ekonomisë. Në detyrën e administartorit në kompani ishte Arben Seferaj, një emër i njohur të cilit Ahmetaj do ti jepte dorë për ngjitjen në krye të OSHEE në vitin 2014, pas rishtetëzimit të kompanisë. Në vitin 2003, siç Ahmetaj ka sqaruar në deklaratën e pasurisë, aksionet e tij ia ka kaluar bashkëshortes. Por, de fakto ai nuk heq dorë kurrë nga kontrolli teksa ekspozohet si konsulent. Në periudhën mes viteve 2005-2008 është paguar me 1 milionë e 50 mijë lekë të reja nga kompania.

Referuar kësaj kontrate që shihni, në 28 Maj të vitit 2008, “H-Communication” shitet tek kompania “Albania Online Service Provider” e drejtuar nga Ylli Panariti. Vlera totale e shitjes ishte 1.8 milionë euro. Bashkëshortja e Ahmetajt përfitonte 795.600 euro për 44.2 % të aksioneve. Blerësit do të paguanin menjëherë 60 % të vlerës ndërsa interesante është një klauzolë e kontratës. Aty, përmendet konflikti i mbartur i “Hermesit” të Arben Ahmetajt për abuzimin me Albtelecom. Pagesa e mbetur prej 40 % do të kryhej kur të zgjidhej në favor konflikti me Albtelecom për marrëveshjen e interkonjeksionit të vitit 2000. Në kontratë shuma e cilësuar e skandalit me Albtelecom është 2.2 milionë dollar. Nuk dihet nëse është lapsus pasi në padinë në gjykatë, shuma e kërkuar nga kompania e Ahmetajt është plot 22 milionë dollar abuzim.

Me bashkimin në kompaninë e re, tashmë u zhduk nga QKB “H-Comunication” e cila kishte emrin dhe gjurmët e Ahmetajt. Por, bie në sy fakti se shuma prej 795 mijë eurosh për paketën e aksioneve të bashkëshortes së Ahmetajt nuk rezulton të jetë renditur në deklaratën e pasurisë për periudhën në fjalë. Pra, me gjasë shitja nuk u bë kurrë dhe familja Ahmetaj ishte ende kontrolluese e biznesit. Ose në të kundërt, jemi përballë evazionit fiskal dhe mosdeklarimit korrekt të pasurisë për një vlerë rreth 800 mijë euro.

Në oktapodin e transaksioneve përfshihet edhe kompania “Bindi Integrated”, sërish subjekt i lidhur ngushtë me Arben Ahmetajn. Referuar deklarimit të pasurisë, ai rezulton se është paguar plot 45 mijë euro nga kjo kompani si konsulent i jashtëm, për periudhën shtator 2008-mars 2009.

Në fakt, “Bindi Integrated” u shkri për tu bashkuar me të njëjtën kompani që përthithi “Hermesin” e famshëm të Ahmetajt. Ky është dokumenti që tregon kalimin 100 % të kuotave në favor të “Albania Online Service Provider”. Në këtë dokument tjetër, zbulohet se bashkimi në fakt është në kompaninë “Primo Communication” që është emri i ri i “Albania Online Service Provider”. Pra, Ahmetaj është paguar nga një kompani që praktikisht u bashkua me subjektet që dikur vetë themeloi dhe përvetësoi miliona nga shteti.

Kompania Albania Online Service Provider” ka përthithur edhe subjektin “Albania Fiber Backbone” dhe sërish administrator rezulton Ylli Panariti.

Bie në sy fakti se në këtë kompani rezulton aksioner themelues “Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve”. Nga verifikimi i deklarimit të pasurisë, në periudhën Janar-Shtator 2004 bashkëshortja e Ahmetajt, Albina Mançka ka marrë 18 mijë dollar shpërblim nga Fondi. Pra, jemi para një tjetër bashkimi kompanish të lidhura me Ahmetajn.

Skandali i impulseve telefonike, si i përvetësoi dhjetëra mln USD biznesmeni Ahmetaj

Në atë kohë, Ahmetaj i futet biznesit privat. Ai kishte mjaftueshëm lidhje dhe pushtet për të synuar kontratat e majme shtetërore.

Në 24 Korrik të vitit 2000 Arben Ahmetaj krijoi Kompaninë “Hermes” që operonte në fushën e telekomunikacionit.

Fillimisht ai është aksioner i vetëm dhe administrator. Më pas, tërhoqi në ortakëri emra të njohur që zotërojnë sot konçesione dhjetëra miliona euro.

“Hermes” ishte një ndër kompanitë “rurale” të telefonisë fikse që bënte interkonjeksionin me Albtelecomin e asaj kohe. Subjekti ofronte shërbimin në rrethinat e Tiranës dhe Durrësit. Një kompani që do ti siguronte Ahmetajt miliona dollarë fitime dhe një njollë të madhe korrupsioni. Një histori që me gjithë përpjekjet për ta mbuluar, vijon ta përndjekë. Por, le ti marrim gjërat me radhë.

Në 16 Gusht të vitit 2000, kompania e Ahmetajt regjistrohet në QKB. Edhe pse pa eksperiencën e nevojshme, vetëm dy javë më vonë, në 31 Gusht 2000 biznesmeni Ahmetaj arrin të sigurojë një kontratë të majme me Albtelecom për shkëmbimin e trafikut të telefonisë. Kontrata u firmos nga drejtori i atëhershëm i Albtelecom Dhimitraq Rafti, i konsideruar një prej njerëzve të afërt të Arben Ahmetajt dhe kryeministrit të kohës Ilir Meta.

Pas debateve dhe akuzave të shumta që shkaktoi aso kohe skandali i kontratës së interkonjeksionit me “Hermes”, Rafti do të shkarkohej nga detyra. Kontrata pasoi edhe nënshkrimin e 4 shtojcave. Këtu fshihet edhe abuzimi që favorizonte hapur kompaninë e Ahmetajt dhe i sillte shtetit dhjetëra milionë dollarë dëm.

“Afera e tij e pandëshkuar nga drejtësia edhe për shkak të kalimit të afateve daton me çështjen e Albtelecom ku është finalizuar si aferë në 2004, afera denoncohej shumë nga ish presidenti Berisha dhe paralajmëronte për ngritjen e një komisioni hetimor, u ngrit, u faktuan dhjetëra milionë euro të vjedhura përmes shitjes së impulsive telefonike që Albtelecomi i bënte kompanisë “Hermes” Arben Ahmetaj dhe impulset i shiteshin me një çmim 40 herë më lirë kompanisë Hermes dhe kompania përmes rishitjes përfitonte miliona euro” u shpreh gazetari, Adriatik Doçi.

Në një prej shtojcave të kontratës me Albtelecom, parashikohej tarifimi i kompanisë së Ahmetajt me vetëm 0.5 lekë për impuls telefonik. Kjo binte në kundërshtim me vendimin e Këshillit Mbikqyrës të kompanisë shtetërore të telefonisë që kishte vendosur një çmim prej 4 lekësh. Pra, kompanitë e tjera rurale që ofronin të njëjtin shërbim si Arben Ahmetaj paguanin plot 3.5 lekë më shumë për impuls. Çmimi mund të ndryshohej vetëm me vendim parlamenti pasi shërbimi i telefonisë aso kohe ishte i një rëndësie strategjike.

Nga përllogaritja që Albtelecom ka bërë më pas, dëmi ekonomik i shkaktuar nga biznesi i Ahmetajt është plot 22 milionë dollar. Kjo është shuma që ka kërkuar ish-kompania shtetërore në procesin ligjor në gjykatë. Bëhet fjalë për fitimin e munguar që do të duhej të shkonte në arkën e shtetit, por ka shkuar në arkat e kompanisë së Arben Ahmetajt.

Transaksionet e dyshimta, a është Ahmetaj pas kompanisë së njohur?

Në Maj të vitit 2008, bëhet një tjetër transaksion dhe kompania që përthithi aksionet e familjes Ahmetaj i shitet “Telekom Sllovenisë” që blen fillimisht 75 % të kuotave e më pas edhe pjesën tjetër.

Në Prill të vitit 2009 kompania ndryshon emrin në “Primo Comunication”. Emri me të cilin çështja e vjedhjes së parave publike shkoi në Gjykatën e Lartë. Por, për të humbur gjurmët nga abuzimi prej 22 milionë dollarësh, edhe emri i kompanisë “Primo Comunication” është zhdukur. Në Shtator të vitit 2014 ndryshohet sërish emri nga Primo, në “Vivo Comunication”.

Në fakt, nëse kërkon në QKB rezulton se me numrin e niptit që kanë pasur këto kompani sot rezulton shoqëria “Tibo Comunicattion”. Pra, është e njëjta gjë nëse përmendim emrat e kompanive “Albania Online Service”, “Primo Comunication”, “Vivo Comunication” e në fund kompania finale Tibo.

Ato janë rezultat i një morie transaksionesh dhe përthithjesh që kanë pikënisje nga kompanitë e Arben Ahmetajt “Hermes” dhe “H -Communication”. Tek ekstrakti i TIBO, bie në sy se kompania është themeluar me emrin “PMP Albanian Netuork” nga Robert Mane dhe Ylli Panariti. Ky i fundit, i njëjti person që bleu kompaninë e Ahmetajt “H-Communication”.

Tibo, është vënë shpesh në qendër të akuzave për pirateri televizive. Nuk dihet nëse sot kjo kompani ka lidhje të drejtëpërdrejtë me Ahmetajn, por, transaksionet që treguam hap pas hapi përmes një oktapodi kompanish ngrenë dyshime të forta.

Së fundi, ka të dhëna për një transaksion të ri që nuk ëhstë depozituar në QKB deri në transmetimin e këtij dokumentari. Në Kompaninë Tibo, është bërë aksioner shtetasi Gerian Kuka, i njohur si mik i afërt i Arben Ahmetajt. Personi në fjalë, është pjesë e një tjetër transaksioni që lidh Ahmetajn jo vetëm me pasardhësen e kompanisë “Hermes”, por edhe me biznesmenët e inceneratorëve.

Pak më poshtë, do të zbulojmë dokumente ekskluzive se si ky personazh, kryen transaksion qindra mijëra euro për një pronë luksoze për llogari të ish-zëvendëskryeministrit.

Paratë e “Cosa Nostra”, dokumenti që ngre dyshime për ish Zv.Kryeministrin

Shqipëria konsiderohet parajsë për pastrimin e parave të krimit të organizuar. Vitet e fundit, ka gjetur mjedis të përshtatshëm edhe mafia e niveleve të larta ndërkombëtare. Implikimi i biznesmenit Rezart Taçi në transferimin e parave të Cosa Nostra-s, zbuloi 1 vit më parë fijet që të çonin drejt politikanëve të niveleve të larta.

Këto dyshime të ngritura në formën e akuzës, çelën një debat politik që opozita e la në mes dhe nuk hulumtoi më tej. Inside Story, ka siguruar dokumentet ku flitet për zëvendësryeministrin shqiptar në dosjen e prokurorisë antimafia.

Në faqet 40 dhe 41 të dosjes zbulohet një përgjim ku Fabio Petrucela, i ngarkuari për transferimin e parave që mendohet se i përkisnin bosit të ndjerë Toto Rina, komunikon me partneren.

Në 18 tetor 2021, Petruzzela duke folur me partneren, shfaqej besimplotë pasi bashkëpunëtorët e tij kishin arritur deri tek kryemisnitri dhe se nuk rezultonte që llogaria të ishte sekuestruar.

Në fakt, këtu ka një lapsus pasi fjala ishte për numrin dy të qeverisë dhe jo për kryeministrin. Kjo sqarohet më poshtë në dosjen hetimore. Arben AHmetajn mori detyrën në Shtator të vitit 2021, ndërkohë, biseda mes mafiozëve është bërë në 18 tetor 2021.

Në vijim të bisedës, Petruzzella sqaronte mirë se ndërhyrja që Rezart Taçi priste nga ana e kryeministrit, i referohej në fakt zëvendkryeministrit nga i cili drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave pretendonte konfirmimin në detyrën e tij në këmbim të zhbllokimit të parave të Zummo-s.
Pra, përgjimet tregojnë se në pazarin për transfertën e mafias dyshohet se janë implikuar të tjerë zyrtarë të niveleve të larta.

Atje është gjithçka e bërë, ka thënë ky maskarai…ky…drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave që ka pretenduar nga kryeministri…nga zëvendëskryeministri ti thotë që do të rikonfirmohet në detyrë…Ti thotë këtë dhe ai dy orë më pas do të firmosë dokumentin e zhbllokimit.

Pavarësisht këtyre përgjimeve, në fund prokuroria çoi në gjykatë për akuzën e pastrimit të parave vetëm biznesmenin Taçi dhe njerëzit e tij.

Edhe pse në përgjime përmendej zëvendëskryeministri dhe drejtori i parandalimit të pastrimit të parave, me sa duket ndaj tyre nuk janë kryer veprime shtesë hetimore.

Dokumente ekskluzive! Zbulohet vila luksoze që Ahmetaj përfitoi nga Zoto

Pagesat për hotelet luksoze janë vetëm maja e ajsbergut nga përfitimet që Ahmetaj ka pasur nga biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto.

Në një prej fshatrave më luksoze në bregdetin e Lalzit, saktësisht në Hamallaj ndodhet vila me numër F.022, ku shpesh shihet nga fqinjët të akomodohet ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

“Inside Story” ka siguruar disa dokumente ekskluzive që zbulojnë këtë dhuratë të majme me vlerë deri në 1 milionë euro për Ahmetajn.

Në shkurt të vitit 2014, miku i ngushtë i Arben Ahmetajt, biznesmeni Gerian Kuka firmos një kontratë sipërmarrje për ndërtimin e një fshati turistik në Dhërmi si pronar i 13 mijë metrave tokë. Referuar kësaj kontrate që shihni, ai do të përfitonte 22 % të sipërfaqes ndërtimore.

Por, në vitin 2018, kontratës i bashkëngjitet kjo shtojcë. Aty palët bien dakord që në marrëveshje të përfshihet edhe një vilë në kompleksin në Hamallaj që ndërtohej nga e njëjta kompani. Për vilën thuhet se komapnia do të kompensohej nga investitori.

Dhe në fakt, ashtu ndodh zyrtarisht. Në 19 Nëntor 2021, firmoset kjo kontratë për blerjen e vilës nga miku biznesmen i Ahmetajt, Gerian Kuka. Prona blihet për vlerën e 174.650 euro. Një vlerë e papërfillshme për një vilë luksoze me sipërfaqe ndërtimi 221 metër katror dhe oborr 521 metra katrorë

‘De facto’ porositësi rezulton biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto dhe përfituesi i vërtetë ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj. Në këtë email të siguruar nga “Inside Story”, e cila gjendet edhe në kompjuterin e tij, të sekuestruar nga SPAK, kompania ndërtuese njofton në 20 Qershor 2017 biznesmenin Zoto për ecurinë e punimeve pikërisht në vilën F.022. E njëjta që me letra u ble nga Gerian Kuka, por me pronar fundor Arben Ahmetajn.

I nderuar zoti Zoto, përshëndetje. Dëshirojmë tju vëmë në dijeni për ecurinë e punimeve në vilën tuaj F.022 në ‘vala Mar Residences”

Disa muaj më vonë, në 22 nëntor të vitit 2017 punimet për vilën përfundojnë. Kompania ndërtuese i adreson një tjetër email biznesmenit Zoto ku e font të paraqitet për të marrë në dorëzim vilën e tij. Pra, të njëjtën që figuronte në emrin e biznesmenit gerian Kuka.

I nderuar zoti Klodian Zoto, ju lutem të respektoni afatet për paraqitjen dhe marrjen në dorëzim të asetit tuaj në kompleksin rezidencial “Vala Mar Residences” në Hamallaj. Pra, Zoto është porositësi i vërtetë. Tani, le të zbulojmë pronarin e vërtetë. Në 31 Mars të vitit 2022, Gerian Kuka ia shet vilën shtetases Erjola Hoxha. Fjala është për partneren e Arben Ahmetajt me të cilën nuk ka celebrime. Pra, i njëjti person që rezultonte edhe në faturat e hoteleve të mbuluara nga Klodian Zoto. Vlera e shitjes së vilës F.022 është 220 mijë euro.

Pra, Gerian Kuka, miku i Ahmetajt që dilte në oktapodin e kompanive të ish-ministrit, i shet vilën bashkëshortes së tij. Këto dokumente, zbulojnë jo vetëm pronarin e vërtetë të vilës por edhe fiktivitetin e veprimeve për të mbuluar një pronë të padeklaruar. Këto prova, mund të jenë pikënisje për një hetim pasuror të organeve ligjzbatuese.

Këtu kemi sërish devijim të hetimeve nga prokurorët Braho dhe Nakuçi, të cilët jo vetëm nuk kanë verifikuar emailin e Zotos për vilën në Lalëz, por as nuk kanë nisur kurrë një hetim sesi një vilë që kushton të paktën 1 milionë euro, është blerë nga bashkëjetuesja e Ahmetatj për 220 mijë euro.

Dosje korruptive për Ahmetaj dhe zyrtarë të tjerë! Si u kërcënua zyrtarja e lartë e BE 

Arben Ahmetajt iu hap dera në qeverinë Nano për t’u bërë Drejtor i Kabinetit në Ministrinë e Financave dhe përgjegjës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, post që e mbajti deri në vitin 1998.

Më pas, u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve. Ai qëndroi për një vit në detyrë. Kjo periudhë, konsiderohet si një ndër më problematiket e administratës tatimore. Inside Story ka mësuar nga burime të ndryshme nga pjesëtarë të kabinetit të kohës dhe prokurorë lidhur me ekzistencën e një dosjeje të madhe korrupsioni për të cilën nuk është folur kurrë më parë.

Dosja në fjalë kishte prova për një ministër, drejtorin e përgjithshëm të tatimeve, drejtorin e doganave, dhe të tjerë zyrtarë të lartë. Provat ishin grumbulluar dhe bënin fjalë për afera pikërisht kur në krye të Tatimeve ishte Arben Ahmetaj. Por, ai nuk u vu kurrë nën akuzë. Dosja e korrupsionit u dorëzua aso kohe nga një zyrtare evropiane e quajtur Natalia Ceha. Ajo ishte Kryetare e Divizionit të VI – Antikorrupsion pranë Bashkimit Evropian. Materiali iu dorëzua qeverisë dhe prokurorisë por kurrë nuk doli në dritë. Me dorëzimin e dosjes, zyrtarja evropiane mësohet se u largua pas presioneve të shumta.

“Di që është bërë hetim për të përcaktuar nga kush ka ardhur kërcënimi dhe për cilat arsye ka ardhur”, u shpreh ish prokurori, Eugen Beçi.