Komisioni i Etikës është mbledhur sot për të shqyrtuar kërkesën e PS-së për pezullimin e 8 deputetëve të opozitës për 10 ditë për bllokimin e foltores në seancën e fundit.
Deputetja demokrate Albana Vokshi është futur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mbledhja përmes Facebook-ut.
Ajo denoncoi deputetët socialistë duke i krahasuar me ish-sigurimin e shtetit për ato që ajo i quajti instrumente e manovra për të përjashtuar 8 deputetë të opozitës.
“Edhe sigurimi i shtetit do ua kishte zili për të thënë të drejtën për të gjitha këto instrumentet, manovrat, që ju po mundoheni që gjeni për të përjashtuar 8 deputetë të opozitës. Është e paprecedentë, para një jave përjashtuat 5 deputetë. Sot guxoni thërrisni këtë mbledhje për të përjashtuar 8 deputetë. S’është dëgjuar në asnjë parlament të botës që të përjashtohen 13 deputetë për një javë. A ju vjen zor juve që bëni këtë mbledhje. A ju vjen zor që zbatoni urdhrat e Edi Ramës edhe fshehtas, edhe pa media deputetët e opozitës, se unë nuk do e merrja përsipër që të vija në këtë gjyq politik. Po kërkoni të dënoni opozitën. Do i dalim zot Shqipërisë dhe jemi të vendosur.” – tha Vokshi.