Është rënduar bilanci i viktimave nga tërmeti i së hënës në Turqi. Sipas autoriteteve zyrtare humbjet në njerëz kanë shkuar në 17134, ndërsa Siria fqinje ka raportuar deri tani 3162 viktima. Ndërkohë numri i të plagosurve në vendet ka kapërcyer 80 mijë. Numri i humbjeve në njerëz në dy vendet ka shkuar në 20.296.
Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në provincën Kahramanmaras, u ndjenë të hënën nga 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.
Disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin, ndjenë lëkundje të forta që goditën Turqinë në më pak se 10 orë.
Duke folur në Kilis, Erdogan tha se gjithsej 6,444 ndërtesa janë shembur në zonën e tërmetit.
“Të hënën e kaluar, ne u përballëm me tërmetin më të keq që ky rajon ka parë ndonjëherë në historinë e tij,” shtoi ai.
Turqia ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme për tre muajt në vijim.
Nga ana e tij, zv.presidenti Fuat Oktay tha duke folur në parlament: “Tërmeti preku një sipërfaqe prej përafërsisht 110 mijë kilometra katrorë. Kjo është e barabartë ose më e madhe se sipërfaqja e shumë vendeve në Evropë. Ky tërmet është i treti më i madh që ka ndodhur që nga tërmeti i Anadollit të Madh të vitit 1668 dhe tërmeti i Erzincanit i vitit 1939 në 2000 vitet e fundit në gjeografinë e Anadollit.”