Tre persona janë shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen e djeshme ku grupi i xhirimit i emisionit ‘Fiks Fare’ u kërcënua me armë zjarri prej tyre.
Në kërkim janë shpallur drejtuesi i ekskavatorit E.K.si dhe dy 30-vjeçarë me iniciale G.K. e H.V.
Ata akuzohen për kanosjen e gazetarëve që po filmonin veprimtarinë e tyre të paligjshme në basenin e lumit Zezë në Fushë Krujë duke gërryer inerte.
Ndërkohë janë sekuestruar dy kamionët që u kapën në vendin e ngjarjes si dhejanë proceduar penalisht drejtuesit A.L. e E.Gj.
Po kështu janë vënë nën hetim E.B. eF.Sh. punonjës të IKMT-së Durrës të cilët ishin përgjegjës për mbikëqyrjen e zonës.
Njoftimi
“Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në të cilin shfaqeshin disa shtetas që gërryenin basenin e lumit Zezë dhe merrnin në kundërshtim me ligjin, inerte nga ky lum në fshatin Verjon, Fushë Krujë, si dhe se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, u konfliktuan me grupin e xhirimit të këtij emisioni dhe i kërcënuan me armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të veprimeve hetimore, të kryera menjëherë sapo morën njoftim për ngjarjen, shpallën në kërkim shtetasit:
E.K. (drejtuesi i ekskavatorit), G. K., 30 vjeç dhe H. V., 30 vjeç, pasi këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kërcënuar grupin e xhirimit, duke qëlluar me armë gjahu, në basenin e lumit Zezë.
Po në kuadër të veprimeve të para hetimore të kryera për këtë rast, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për shtetasit:
A.L. (drejtuesi i kamionit) dhe E. Gj. (drejtuesi i kamionit), për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”. Gjithashtu, këtyre shtetasve iu sekuestruan mjetet e tonazhit të rëndë që përdornin në basen.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisën hetimet për shtetasit E. B. dhe F. Sh. (punonjës të IKMT-së, Drejtoria Rajonale Durrës), pasi duke qenë përgjegjës për monitorimin e kësaj zone, dyshohet se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”