Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me banorët e degëve 6, 7 dhe 16 në Tiranë.
Berisha deklaroi se qeveria ka një plan për të shembur 90 mijë banesa, pasi sipas tij ky është një plan që e ka gati projektin, ndërsa shtoi se aty do shkojnë paratë e drogës.
“Edi Rama ka ndërtuar këtu narko-shtetin. Këto ditë mësova se në projektet e tyre është edhe të shembin 90 mijë banesa. Ku do shkojë droga? Do shemben 90 mijë banesa, kanë bërë projektin.”
Duke qëndruar në këtë temë, Berisha mori si shembull shembjen e shkollave me pretekstin e dëmtimit nga tërmeti dhe më pas për ndërtimin e tyre me fonde të majme.
Siç e keni parë këta çdo kohë shembin shkolla të padëmtuara nga tërmeti për të vjedhur. Ndërton shkollën me 3 milionë euro kur standardi evropian llogarit çdo shpenzim që bëhet dhe ai thotë se shkolla është 680 mijë euro. Ky ndërton shkolla me 3 milionë, Rakip Suli me shembullin e tij po ashtu me 3 milionë. Shembin shkolla pa asnjë plasaritje, kanë rikthyer turnet në Tiranë, ndërsa në Kamëz ka turne të treta. Aty nuk ka shkollë, i verboi grabitja dhe veprojnë në këtë mënyrë”, u shpreh ai.