Vendosni fjalën kyçe....

BSH: Deficiti i ulët buxhetor, forcimi i lekut dhe përmirësimi i situatës energjetike luajtën rol të në ngadalësimin e inflacionit


Deficiti i ulët buxhetor, forcimi i lekut në kursin e këmbimit dhe përmirësimi i situatës energjetike kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ngadalësimin e inflacionit dhe në vendimin e Bankës së Shqipërisë për të frenuar përkohësisht rritjen e normës bazë të interesit.

Në një komunikim me gazetarët, përfaqësues të bankës qendrore argumentuan vendimmarrjen e fundit të politikës monetare të datës 1 shkurt. Sipas tyre, inflacioni në tremujorin e fundit të vitit pësoi një rënie më të fortë se parashikimet, ndërsa projeksionet e bankës qendrore për dinamikat e tij të mëtejshme u ndikuan nga disa faktorë.

Gjatë vitit të kaluar, deficiti buxhetor i qeverisë shqiptare është vlerësuar në nivele më të ulëta se parashikimet. Në këtë mënyrë, ruajtja e një pozicioni më konsolidues të politikës fiskale, sipas Bankës së Shqipërisë, ka krijuar hapësira për ta ngadalësuar disi lëvizjen në kah shtrëngues edhe të politikës monetare.

Një faktor tjetër që vlerësohet të ketë ndikuar në uljen e inflacionit përtej pritshmërive të Bankës Qendrore ka qenë zhvillimet pozitive në sektorin energjetik. Prurjet e favorshme të lumenjve pas muajit nëntor kanë rritur prodhimin e energjisë elektrike dhe kanë ulur nevojën për import. Ky zhvillim ka qenë përcaktues edhe në mosaplikimin e tarifimit të diferencuar me fasha konsumi, siç kishte vendosur paraprakisht qeveria shqiptare.

Faktor tjetër me ndikim të rëndësishëm në vendimin për të mos rritur normën bazë të interesit ka qenë pozicioni i fortë i lekut në kursin e këmbimit, veçanërisht në raport me euron. Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, mbiçmimi i lekut po rezulton përtej pritshmërive të saj.

Leku gjatë vitit të kaluar ka thyer rekorde të reja historike në kursin e këmbimit me euron. Në fund të muajit dhjetor, monedha europiane zbriti në minimumin historik prej 112.83 lekësh.

Rënia e euros u korrigjua në pjesën e parë të muajit janar, por, megjithatë, tendencat e kursit të këmbimit duken në favor të monedhës vendase. Banka e Shqipërisë argumenton se, në mungesë të mbiçmimit të lekut ndaj euros, ndoshta rritja e normës bazë së interesit duhet të kishte qenë më e lartë.

Më datë 1 shkurt, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75%, Ky vendim suprizoi një pjesë të analistëve financiarë, që prisnin vijueshmërinë e normalizimit monetar dhe një rritje me 0.25 pikë përqindje të normës bazë.

Ky parashikim bazohej në nivelin e lartë të inflacionit bazë, 8.4% dhe në rreziqet në rritje që vijnë nga tregu i punës, që po karakterizohet nga nivelet më të ulëta historike të papunësisë dhe nga rritja dyshifrore e pagës mesatare nominale.

Megjithatë, ekspertët e Bankës së Shqipërisë argumentojnë se inflacioni bazë në Shqipëri përfshin edhe disa produkte ushqimore, ndryshe nga metodologjia e përdorur përgjithësisht nga bankat e tjera qendrore. Sipas tyre, nëse matjet e inflacionit bazë do të përjashtonin të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike, ky tregues do të rezultonte në nivele më të ulëta.

Megjithatë, ata pranojnë se presionet nga tregu i punës janë të konsiderueshme dhe janë një ndër faktorët kryesorë që diktojnë vijimin e kursit normalizues të politikës monetare. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar vazhdimin e rritjes së normë bazë të interesit gjatë vitit 2023, por duke nënvizuar nga ana tjetër se pjesa më e madhe e normalizimit monetar tashmë është kryer dhe rritja e normës bazë të interesit pritet të ketë një trajektore më të butë krahasuar me vitin 2022.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor