Sanksionet amerikane që synojnë Sirinë kanë ndërprerë përpjekjet e ndihmës, pasi tërmetet katastrofike vranë më shumë se 10,000 njerëz në rajon në fillim të kësaj jave, tha Ministria e Jashtme e Kinës, duke i kërkuar Shteteve të Bashkuara të heqin sanksionet dhe të ‘zhbllokojnë dyert për ndihmën humanitare’.
Zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme Mao Ning iu kërkua të komentonte mbi sanksionet gjatë konferencës së saj të përditshme për shtyp të mërkurën.
“Tërmetet shkatërruese, që vijnë pasvitesh lufte e trazirash në vend, e kanë lënë Sirinë në një krizë të tmerrshme humanitare”, tha ajo.
Grupet humanitare, si Gjysmëhëna e Kuqe Arabo-Siriane (SARC) dhe Komiteti Arabo-Amerikan Kundër Diskriminimit me bazë në SHBA, u kanë kërkuar zyrtarëve amerikanë të heqin sanksionet pas tërmeteve të së hënës, që tronditën Sirinë dhe Turqinë dhe vranë mijëra njerëz në dy vendet.
Më shumë se 12 humbën jetën në Turqie, me rreth 50,000 të plagosur, ndërsa të paktën 2800 vdiqën në Siri, përveç 2,300 të plagosurve.
Shumë banorë tani janë bllokuar nën ndërtesat e shembura, duke krijuar një nevojë urgjente për ndihmë, megjithëse organizatat humanitare thonë se sanksionet e kanë vështirësuar punën.
“Procesi i evakuimit dhe operacionet e shpëtimit janë të kufizuara për shkak të pengesave që vijnë nga sanksionet e rënda. Kemi mungesa në makineri të rënda dhe nevojiten pajisje për të hequr rrënojat,” tha presidenti i SARC Khaled Hboubati.