Vendosni fjalën kyçe....

Kriza demografike, 36% e të papunëve të regjistruar mbi 50 vjeç


Struktura sipas moshës e të papunëve tregon se shumë shpejt, papunësia në vendin tonë do të shkojë drejt zeros.

Ikja e të rinjve në emigracion dhe lindjet më të pakta kanë ulur se tepërmi forcën e punës në moshat e reja.

Psh në vitin 2021 rreth 36% e atyre që u regjistruan të papunë ishin mbi 50 vjeç. Më shumë se një e treta e personave që u regjistruan në zyrat e punës si të papunë për pak vite dalin në pension. Moshat e më të reja përbejnë një përqindje shumë të ulët në totalin e të papunëve të regjistruar.

Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit, nga rreth 70 mijë të papunë që ishin të regjistruar në zyrat e punës në dhjetor të vitit 2021, grup-mosha 30-40 vjeç përbënte vetëm 20 për qind të totalit të punëkërkuesve të papunë.

Stoku i personave të papunë sa po vjen e po plaket nga tranzicioni demografik. Për më tepër të papunët në dispozicion, gati 50 për qind e tyre janë me arsim fillor, të dekurajuar dhe prej kohësh nuk kanë ushtruar ndonjë profesion.

Struktura e të papunëve sipas grup-moshës është më e përkeqësuar në disa qarqe. Psh në Berat gati 49 për qind e të regjistruar janë mbi 50 vjeç. Gjithashtu në Lezhë gati 40% e të papunëve të regjistruar janë mbi 50 vjeç. Në qarqet e Tiranës, Fierit kanë një strukturë të papunësh që anon nga mosha afër pensionit. Në anën tjetër kërkesa për të punësim vjen nga sektor që kërkojnë krah të ri pune.

Psh njësitë e prodhimit në sektorin e industrisë automative, fasonit dhe industrisë ushqimore preferojnë të punësojnë punëtore me të rinj se 40 -vjeç. Puna në fabrika është e lodhshme, ka ritëm dhe kërkon forcë fizike, që nuk përballohet nga moshat mbi 50 vjeç.

Si rrjedhojë e zhvillimeve demografike dhe modelit ekonomik që ofron vendi ynë zhvillimet në tregun e punës janë kontradiktore. Pasi pjesa e personave të papunë nuk mund të integrohet në tregun e punës për çështje të moshës.

Të dhënat tregojnë se, numri i të rinjve të grup -moshës 15- 29 vjeç përbën vetëm 23% të regjistrit të punëkërkuesit. Rajonet Berat, Elbasan, Fier, Lezhë dhe Tiranë rezultojnë me nivelin më të lartë të pu.pa-ve të regjistruar nga grup-mosha mbi 40 vjeç, ndaj qarqet Dibër, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Shkodër dhe Vlorë rezultojnë me nivelin më të lartë të papunëve të regjistruar nga grup-mosha mbi 15-29 vjet.

Personat e papunë me arsim deri në 9-vjeçar përbëjnë 55.8% të totalit të atyre të regjistruar. Ato me të mesëm ose të lartë përbën 44.2%. Krahasuar me nivelin kombëtar qarqet Dibër, Elbasan, Lezhë dhe Tiranë rezultojnë me nivelin më të lartë të papunëve me arsim deri 9-vjeçar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor