Raste shpresëdhënëse janë parë në Turqi e Siri në operacionet e kërkim-shpëtimit ku mbi mijëra njerëz janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat pas tërmeteve shkatërruese të së hënës.
Në Turqi janë nxjerrë së fundmi pesë njerëz të cilët kishin qëndruar më shumë se 54 orë nën rrënoja.
Në qendër të qytetit Adiyaman, 46-vjeçarja Hatice Tekin dhe vajzat e saj Elif (12) dhe Ayca (10) u nxorrën të gjalla nga mbeturinat e një ndërtese pesëkatëshe të shembur pas 54 orësh dhe u dërguan në spital, shkruan Anadolu Agency.
Përpjekjet e shpëtimit në ndërtesën e shembur po vijojnë ndërkohë për të atin dhe fëmijën tjetër të Hatixhes.
Ndërkohë, në rrethin Besni të Adiyaman, pas përpjekjeve të gjata, ekipet e zjarrfikësve të dërguara nga komuna e provincës veriperëndimore të Kocaelit shpëtuan Ahmet Aydin dhe djalin e tij Jusuf, gjithashtu 54 orë pasi tërmeti shkatërrues goditi rajonin.