Vendosni fjalën kyçe....

Një shpjegim për kompaninë time dhe Arben Ahmetajn


Nga Ylli Panariti

Të dashur miq,

Mbrëmë disa miq të mi më treguan për përmbajtjen e emisionit ‘Inside Story’ në Top Channel, që unë nuk e shoh dot në shtëpi për arsye teknike.

Në këtë emision mundohet të bëhet një lidhje ndërmjet emrit tim dhe Arben Ahmetajt. Më poshtë po tregoj të vërtetën time që mund teë verifikonet lehtë në QKR.

1998 – Albania Online Service Provider fillon të ofrojë shërbim interneti në Tiranë, në një kohë kur shumica e njerëzve nuk dinin për se mund të përdorej ky sheërbim, dhe për çfarë duhej një adresë e-mail. Klienti i parë në 1 mars ka qenë një NGO për mediat e krijuar nga Koloreto Cukali, që vazhdon edhe sot në aktivitetin e tij.

2004 – AOL bleu pjesën e Fondit Shqiptaro Amerikan, ku ishin bashkëpronarë, të një kompanie që shtriu rrjetin e parë të fibrave optike në Tiranë, me emrin Albanian Fiber Backbone. Dy kompanitë vazhduan aktivitet me bilance të ndara deri në 2007.

2007 – Dy kompanitë bashkohen dhe Telekomi Slloven (jo kompani ruse), bleu 75% të aksioneve të AOL + AFB, nën të njëjtin model që hyri në tregun e Kosovës, duke blerë po 75% të aksioneve të IPKO.

2008 – Me qëllim të zgjerimit të prezencës në tregun shqiptar, kompania AOL, me aksioner TS-75% dhe ne dy aksionerët shqiptarë me nga 12.5% – bleu kompaninë H-Communications me aksioner Arben Ahmetaj dhe Vilma Nushi, me qëllimin e zgjerimit të rrjetit në zonën Tiranë-Durrës. Blerja u bë me kusht që HC, të zgjidhte vetë problemet gjyqësore që kishte me Albtelecom. Blerja tjetër u realizua ndaj kompanisë Bindi Integrated Services, e cila ofronte shërbime intraneti për sistemin e Bankave etj, në Tiranë, kompani e cila nuk kishte asnjë lidhje me Ahmetajn, siç aludohet në emision.

2009 – Ky bashkim i tre kompanive, pas blerjes – u quajt me emrin e ri PRIMO SHPK, dhe u zgjerua me ofrim shërbimi edhe në Shkodër dhe Durrës.

2011 – Sipas marrëveshjes së firmosur në 2007, Telekomi Slloven, blen aksionet e minorancës shqiptare (edhe te miat) pas një vlerësimi që iu bë nga Deloitte & Touche, dhe jo si shiten aksionet lart e poshtë në Shqipeëri me vlera qesharake dhe pa trasparencë, dhe kthehet në pronar 100% të PRIMO SHPK.

2013 – Telekomi slloven, duke mos e menaxhuar si duhet, e shet kompaninë tek disa investitorë shqiptarë, që ia ndryshuan emrin pas blerjes në VIVO Communications.

2020 – VIVO Communications shitet tek TIBO, nën të cilën vazhdon të operojë sot.

Në ditët në vijim do të mundohem të mësoj për çfarë arsye tentohet të lidhet emri im me bëmat e Arben Ahmetajt, dhe mundet t’i shtoj dhe një hamallëk tjetër jetës time, duke iu drejtuar gjykatës.

Ndërkohë që, sidomos brezi i ri, kujtojnë sot se interneti është vetëm rrjetet sociale, më duhet të theksoj që në fakt zhvillimi i shërbimit të internetit, krijoi mundësinë e lindjes së një numri të madh aplikimesh, ndër to dhe rrjetet sociale.

Në këtë mënyrë, unë sot, një nga pionerët e futjes së këtij shërbimi në Shqipëri, kam mundësi nëpërmjet FB, të tregoj të vërtetën time. Pa këtë shërbim, mediat e lidhura me interesa të shumëllojshme, mundet të shtrembërojne faktet dhe hedhin në treg histori si Top Channel, mbrëmë.