Vendosni fjalën kyçe....

PD parashikon 80-100 mijë protestues më 11 shkurt, mbarëvajtja do sigurohet nga 200 persona


Partia Demokratike ka njoftuar zyrtarisht policinë e Tiranës për zhvillimin e protestës së 11 shkurtit.

PD parashikon 80 deri në 100 mijë protestues në protestë.

Në shkresën drejtuar policisë jepe detaje për vendosjen e qytetarëve dhe organizatorët.

Protesta pritet të nisë në orën 12:00, por nuk specifikohet se sa do të zgjasë.

PD thotë se motivi i protestës është për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, pasi “ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë”.

“Bazuar në ligjin 8773 datë 24.04.2021 “Për Tubimet”, Partia Demokratike e Shqipërisë do të organizojë në datë 11.02.2023, një tubim protestë në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë pasi ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë. Tubimi do të mbahet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke filluar nga ora 12:00;

Protestuesit do të grumbullohen në selinë e Partisë Demokratike, sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skënderbej dhe do të lëvizin në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit”.

Në njoftimin për protestën bëhet me dije gjithashtu se foltorja do të vendoset në Bulevard përballë Kryeministrisë dhe personat që do të flasin do të jenë drejtues të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.