Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës është përfshirë në debate mes shumicës qeverisëse dhe opozitës pasi kryeministri Albin Kurti njoftoi pranimin e planit-franko gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Debati kryesor ka të bëjë me Asociacionin, formimi i të cilit shihet si kërcënim për institucionet e Kosovës ndërsa për Serbinë një është kusht i rëndësishëm për nënshkrimin e marrëveshjes.
Kjo gjë u konfirmua edhe nga Albin Kurti sot në Kuvend i cili tha se po zhvillohet një betejë e madhe politike dhe diplomatike, për ta bërë Asociacionin çështje më të rëndësishme të planit franko-gjerman, ndonëse në propozim nuk i është dhënë një rëndësi e tillë, as në renditje.
“Këtu po zhvillohet një betejë e madhe politike dhe diplomatike
Dhe, beteja tjetër është që në kuadër të propozimit të Bashkimit Evropian, ai neni 10 i cili i referohet marrëveshjeve të mëhershme, me një lloj sforcimi dhe insistimi, të nxjerrët gati në preambulë. Kjo është e papranueshme për ne. Beogradi po bën betejën, ndoshta më të madhe, që Asociacioni të jetë parakusht, ose në qendër”-tha Kurti në Kuvend.
Vetë Aleksandër Vuçiç pas një takimi me ambasadorët e QUNIT-it në OSBE tha se nuk ka kuptim vazhdimi i dialogut me Kosovën pa formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Çështja e Asociacionit e faktorizuar në marrëveshje është bërë arsye për debat edhe nga opozita në Kuvend.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Kurti ka pranuar një “marrëveshje bazë” nga “marrëveshja finale”.
Sipas tij, Kurti në fjalim e pranoi edhe që po negocion një marrëveshje që nuk e ka njohjen në qendër.
Kryeministër unë nuk po të gjykoj ju pyeta se çka nga platforma juaj është reflektuar në marrëveshjen që e ke pranuar. Dhe janë dy çështje shqetësuese: Ke pranuar që nga një marrëveshje finale të pranosh një marrëveshje bazë. Ti nuk po tregon se çka po bëhet por e ke pranuar një dokument. Si mund të pranosh marrëveshje që nuk është finale dhe nuk e ka njohjen në të”, ka thënë ai.
Abdixhiku foluri për disa dokumente, që thotë se ia kishte dorëzuar kryeministri Kurti. Ai tha se në takimin e dytë, Kurti ia kishte dhënë një dokument që nuk përmbante njohjen reciproke.
“Kapitulli i parë parashihte njohjen reciproke me Serbinë. Kapitulli i dytë krimet e luftës të zhdukurit, në kapitullin e pestë thuhej se do të bëhej rikonsiderimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Në një takim tjetër të zhvilluar në zyrën e tij, disa muaj më vonë, kryeministri më kishte dorëzuar një dokument dy-faqesh i njohur si propozimi franko-gjerman, ai propozim nuk përmbante marrëveshjen finale dhe ishte larg dokumentit që ma kishte propozuar Kurti në takimin e parë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Nga ana tjetër Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e akuzoi kryeministrin Kurti për mungesë të guximit dhe transparencës në lidhje me dialogun me Serbinë.
“E vetmja gjë që nuk është as fisnike e as pragmatike, është mungesa e guximit për ta ushtruar përgjegjësinë që të takon, kur e mashtron vetveten se do t’i arrish qëllimet me sukses, duke u fshehur pas parimeve, përderisa vepron sipas rrethanave. Fatkeqësisht, kjo është rruga që është duke e ndjekur kryeministri Albin Kurti, me mënyrën se si i është qasur qeverisjes në përgjithësi, ndërsa në veçanti zhvillimeve të fundit në lidhje me Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, dua që t’ia bëj të qartë kryeministrit, se në raport me temën e Dialogut, nuk ka nevojë as të fshihet, as të mashtrojë, as ta luajë rolin e shpëtimtarit, e as të tradhtarit. Për Partinë Demokratike të Kosovës, mjafton që ai ta ushtrojë përgjegjësinë konkrete, ligjore dhe kushtetuese, që e ka si kryeministër, të dialogojë dhe të arrijë marrëveshjen që e respekton identitetin dhe sovranitetin shtetëror e kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe krejt këtë ta bëjë në mënyrë transparente”, tha Krasniqi.