Vendosni fjalën kyçe....

Suedia ndalon tubimin e parashikuar për djegien e Kuranit


Policia suedeze u ka mohuar aktivistëve anti-islamik lejen për të djegur Kuranin përpara ambasadës turke në Stokholm, duke përmendur një rritje të kërcënimeve terroriste pas një akti të ngjashëm muajin e kaluar.

Ankaraja kërcënoi se do bllokonte aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO pas protestës fillestare, e cila u lejua nga autoritetet.

Forcat policore kombëtare të Suedisë njoftuan të martën se aplikimi i fundit i protestës ishte hedhur poshtë, duke shpjeguar se ‘një tubim i tillë vlerësohet të jetë në gjendje të shkaktojë shqetësime serioze në sigurinë kombëtare’.

Politikani danez i ekstremit të djathtë Rasmus Paludan, i cili gjithashtu ka nënshtetësi suedeze, dogji librin e shenjtë islamik përpara ambasadës turke muajin e kaluar. Ndërsa politikanët suedezë e dënuan marifetin e Paludan, autoritetet e lejuan atë të vijonte, me ministrin e Jashtëm Tobias Billstrom që përmendi ligjet e vendit për ‘lirinë e gjerë të shprehjes’.

Protesta shkaktoi një valë zemërimi në të gjithë botën myslimane. Në një raport të martën, Policia Suedeze e Sigurisë – agjencia përgjegjëse për spiunazhin dhe kundërterrorizmin – tha se kishte parë ‘një rritje të numrit të kërcënimeve terroriste’ pas djegies së Kuranit.

Policia kombëtare tha se mori vendim për të hedhur poshtë kërkesën për një protestë të dytë pas diskutimeve me Policinë Suedeze të Sigurisë.

Përveç rritjes së dukshme të kërcënimit terrorist, demonstrata e Paludan në janar rrezikoi përpjekjen e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n. Suedia e Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me bllokun ushtarak verën e kaluar, por kundërshtimi i Stokholmit për të ndaluar Paludanin që të digjte publikisht Kuranin e shtyu Ankaranë të anulonte një takim pranimi me dy vendet nordike.