Vendosni fjalën kyçe....

U kapet kanabis e kokainë, pranga dy personave në Tiranë, njëri i mitur


Dy persona, mes të cilëve njëri i mitur janë arrestuar nga policia pasi akuzohen për shitje lëndësh narkotike.

Në pranga kanë rënë 27-vjeçari me iniciale M.K. dhe një 16-vjeçar, të cilët u ndaluan në zonën e Yzberishtit.

Gjatë kontrollit atyre u janë kapur një sasi prej 2 kilogramësh drogë e dyshuar kanabis, një sasi dozash kokaine, 2 peshore elektronike, 3 celularë dhe rreth 190 mijë lekë të reja.

Sipas policisë, droga sigurohej nga 27-vjeçari i cili e ndante në doza që shiteshin më pas në bashkëpunim me 16-vjeçarin.

Njoftimi

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Direction”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasi M. K., 27 vjeç dhe një shtetas 16 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 i kanë lokalizuar dhe ndaluar këta 2 shtetas, në Yzberisht. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit M. K. dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 2 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një sasi dozash kokaine, 2 peshore elektronike, 3 aparate celulare dhe 189 800 lekë të rinj, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi M. K., pasi siguronte lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, i ndante në doza, të cilat i shiste më pas, në bashkëpunim me 16-vjeçarin, në zonën e Yzberishtit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.”