Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky në Bruksel kërkon më shumë armatim për tu mbrojtur nga Rusia anti-evropiane


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Bruksel për të vazhduar lobimin për armë më të avancuara nga aleatët evropianë, duke i thënë Parlamentit Evropian se vendi i tij po lufton “kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”.

Vizita e 9 shkurtit në Bruksel ishte e fundit në turneun e papritur të Zelenskyt në Evropë, prej ku ai kërkoi më shumë armë, pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, dhe erdhi pasi forcat ruse thuhet se shtuan sulmet në lindje të Ukrainës përpara një ofensive të pritshme në prag të përvjetorit të luftës, përcjell REL.

Edhe pse Zelensky nuk ka gjasa të largohet nga Brukseli me premtime të menjëhershme për më shumë ndihmë ushtarake, vizita do t’i japë atij mundësinë për të folur me të 27 udhëheqësit e Bashkimit Evropian gjatë një samiti të planifikuar më vonë gjatë ditës.

Gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Evropian, presidenti ukrainas falënderoi BE-në për ndihmën që blloku ka dhënë që kur Rusia filloi fushatën agresive të pushtimit të vendit të tij.

“Faleminderit”, tha Zelensky teksa ligjvënësit e BE-së duartrokitën gjatë.

“Ne po mbrohemi në fushëbetejë, ne ukrainasit, së bashku me ju … kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”, tha ai.

Javëve të fundit, Ukraina ka marrë premtime nga vendet perëndimore se do t’i sigurojnë tanke luftarake, por ka bërë thirrje për armatim edhe më të avancuar, duke përfshirë avionë luftarakë dhe raketa me rreze më të gjatë. Zelensky pritet gjithashtu të adresojë nevojën për fillim të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim në BE gjatë samitit.

“Ukraina do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, një Ukrainë fitimtare”, tha Zelensky në Parlamentin Evropian.