Vendosni fjalën kyçe....

Importi i frutave dhe perimeve të përpunuara dy herë më i lartë se eksporti, plani për rritjen e subvencioneve


Eksportet e prodhimeve bujqësore të Shqipërisë, fruta dhe zarzavate të freskëta nga fusha po rriten dukshëm vitet e fundit, duke performuar me bilanc pozitiv në tregtinë e jashtme, por nga ana tjetër vendi ynë vijon të jetë një importues neto i zarzavateve dhe frutave të përpunuara.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se importet e grupit “ Përgatitjet prej zarzavateve, frutave, arrave, etj” arritën në fund të vitit 2022 në 6.6 miliardë lekë gati sa dyfishi i eksportit të këtyre produkteve prej 3,5 miliardë lekë.

Shqipëria është eksportues neto i prodhimeve të freskëta të perimeve, frutave dhe zarzavateve, por nga ana tjetër nënproduktet që vijnë nga këto prodhime importohen, pasi nuk arrijnë të prodhohen në vend për shkak të dobësive në zinxhirin e përpunimit.

Megjithëse eksporti i frutave dhe perimeve të përpunuara është rritur rreth 54 për qind në raport me vitin 2019, deficiti tregtar vijon të jetë i lartë në këtë grup.

Burimet zyrtare në Ministrinë e Bujqësie pohuan se, do të ketë një përqendrim të lartë të subvencioneve në zinxhirin e përpunimit të fruta-perimeve. Pas financimit nga programi IPARD një njësi e përpunimit të frutave dhe perimeve në Lushnje tashmë është shndërruar në fabrikë.

Burimet zyrtare nga Ministria e Bujqësisë treguan se kapacitetet e përpunimit janë shumëfishuar duke prodhuar rreth 40 mijë kavanozë me turshi dhe komposto në vit. Prodhimet janë të destinuara për eksport në rreth 37 vende

Agropërpunimi është rritur ndjeshëm gjatë 10 viteve të fundit duke arritur në rreth 25% të xhiros totale të bujqësisë. Tendencat janë pozitive dhe po tregojnë se sektori ka potencial të lartë për zhvillim dhe krijimin e vendeve të punës.

Burimet zyrtare nga Ministria e Bujqësisë pohuan se volumi tregtar i shitjeve dhe të ardhurave nga sektori i agro-përpunimit është rritur me ritme dyshifrore, ndërkohë që punësimi është rritur me rreth 20%, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme për produkte të përpunuara dhe rritja e eksportit të produkteve me origjinë bimore.

MBZHR bëri të ditur se masa e IPARD III synon të gjitha ndërmarrjet e përpunimit të frutave dhe perimeve dhe fokusohet në nxitjen e investimeve në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë ushqimore dhe reduktimin e humbjeve në procesi i prodhimit.

Sipas MBZR-së, krahas përpunimit të qumështit, janë edhe shtatë sektorët që mbështet kjo masë e IPARD III.

Sektori shqiptar i verërave mund të shfrytëzojë mundësitë e reja si rrjedhojë e rritjes së kërkesës së brendshme për verëra cilësore, nëse mbështetet me investime në modernizimin e teknologjive, përmirësimin e pajisjeve, veçanërisht magazinimin në tanke ruajtëse, fermentuese dhe pajisje laboratorike, dhe zhvillimi i verërave cilësore bazuar në varietetet e rrushit lokal/autoktone.

Konsoliduesit paraqesin nevoja për të investuar kryesisht në magazina të reja, linja tharjeje, objektet dhe pajisjet e përpunimit.

Prodhimi i vajit të ullirit është rritur ndjeshëm, duke u trefishuar. Ky nën-sektor kërkon një përmirësim të kushteve apo ambienteve të operimit dhe të linjave të përpunimit, ambalazhimit dhe etiketimit./B.Hoxha

Burimi: INSTAT

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor