Franck Kessie raportohet se refuzoi mundësinë për t’u transferuar te Tottenham Hotspur në afatin kalimtar të janarit.
Mesfushori nga Bregu i Fildishtë u lidh me një largim nga “Camp Nou” muajin e kaluar, pavarësisht se iu bashkua klubit vetëm përpara fillimit të sezonit 2022/23.
Krahas një rikthimi të mundshëm në Itali, Kessie u lidh edhe me një kalim në Premierligën angleze.
Megjithatë, pavarësisht mundësisë, sipas “Sport”, ai e refuzoi kalimin te Tottenhami, por detaje tjera nuk u zbuluan.
Sidoqoftë, 26-vjeçari nuk e ka të ardhmen e sigurt te Barcelona, teksa besohet se një largim i tij përfundimtar mund të ndodhë në afatin e verës.
Ish-mesfushori i Milanit te katalunasit nuk po ka minuta të mjaftueshëm, teksa edhe Xavi mund ta lejojë largimin e tij.
Por, pavarësisht kësaj, sipas mediumit spanjoll, ai është i vendosur për të “luftuar” për një vend në formacionin bazë të Barçës.
Lëndimi i Sergio Busquets mund t’i japë Kessie një mundësi për të treguar vlerën e tij, teksa kapiteni i Barcelonës vazhdon të jetë i lidhur edhe me një largim në afatin kalimtar veror.
Ndryshe, Franck Kessie me Barcelonën ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026.