Hidrocentralet e vegjël me kapacitet të instaluar deri në 15 MW do të shesin çdo kWh tek kompania shtetërore me 10 lekë.
Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit këtë rritje të cilën e kishte deklaruar disa javë më parë teksa deri më tani në fuqi ishte vendimi i fundit i ERE për një çmim 8.52 lekë/kWh.
Qeveria në vendimin e saj ka ndryshuar një pikë të metodologjisë duke shënuar se “Niveli maksimal i çmimit të llogaritur të blerjes së energjisë elektrike”, në çdo rast, nuk do të jetë më i lartë se çmimi 10 lekë/kWh (pa TVSH).
Aktualisht energjinë e HEC-ve të vegjël e kompania publike e shpërndarjes me një çmim të miratuar nga Enti sipas formulës : Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX/DAM) i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/kWh X bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.2 X normën mesatare të këmbimit në Euro/Lekë për vitin e fundit.
Kjo rritje vjen në kushtet kur kompanitë më herët kishin kërkuar të dilnin në treg të lirë. Pranë institucioneve më herët në 2022-in u paraqitën disa kërkesa nga subjekte të ndryshme për të dalë nga marrëveshja me shtetin por vendosja e gjendjes së emergjencës e cila është zgjatur me një vendim të fundit të qeverisë deri në mes të vitit të ardhshëm e komplikon pak situatën.
Vendimit nr.584, datë 8.10.2021 i Këshillit të Ministrave, të ndryshuar që parashikonte situatën e emergjencës i është shtuar një pikë të re ku përcaktohet “vendosja e detyrimit të shërbimit publik ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike, që kanë kontratë me shoqërinë “Furnizuesi i tregut të lirë”, sh.a.
Këtyre prodhuesve me përparësi i vendoset detyrimi i shërbimit publik për shitjen e energjisë elektrike te shoqëria “Furnizuesi i tregut të lirë”, në përputhje me çmimin e përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë, në bazë të metodologjisë së miratuar me vendimin nr.687, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi”, i ndryshuar, gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike”.
Vendosja e shërbimit të detyrimit publik i bën këto subjekte më të varura në vendimmarrje për hapat që mund të hedhin pasi me ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike” në raste emergjente qeveria ka të drejtë të marrë masa shtesë.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Revista Monitor