Mjeku i Ilir Alimehmeti i ngjitur në podiumin e protestës tha se shqiptarët kanë vendosur të sfidojnë të ftohtin duke dalë në shesh për shkak se po përballen me kancerin e korrupsionit.
Sipas tij, dy janë mundësitë sot, të përballen me qeverinë ose të largohen.
Alimehmeti theksoi se “viruset” do t’i luftojnë kudo që janë sepse ato nuk ikin vetë.
“Shikoni sa shumë jemi, por janë shumë më shumë ata që i kanë shpresat te ne. Pse jemi ne këtu? Pse vendosëm ne të sfidojmë muajin më të ftohtë të vitit? Se nuk ka vend më të ftohtë se zemra e qeveritarëve. Jemi vënë përballë një kanceri korrupsioni, ka shkuar edhe në nivel ndërkombëtar. Jemi vënë përballë një humbje, një pagjumësie nga sistemi gjyqësor. Ndaj gjithë këtyre sëmundjeve kemi dy mundësi: të qëndrojmë dhe të përballemi, kemi edhe mundësinë të largohemi. Ne kemi vendosur të qëndrojmë, ne kemi vendosur të largojmë ata që janë shkaktarët e këtyre sëmundjeve. Ne kemi vendosur ta marrim vetë fatin e Shqipërisë në dorë. Do ti luftojmë këto viruse kudo ku të jenë sepse ata nuk ikin vetë, ikin vetëm kur ti heqim ne”, tha Alimehmeti.