Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, nga foltorja e protestës përpara kryeministrisë i ka bërë thirrje SHBA që të hetojnë lidhur me çështjen e fundit që përfshinë McGonigal dhe përmendjen e emrit të kryeministrit Edi Rama në aktakuzë
Berisha kërkoi edhe hetim për George Soros për aktivitetet në Shqipëri.
“Edi Rama këtë vend të bekuar e shndërroi në një vend të mallkuar, i bëri shqiptarët të largohen nga vendi i tyre. Dy tre ditë më parë mbushi zyrën me disa vogëlushë dhe i lumturoi me dhurata, dhe këtë e bëri për të mbuluar lotët e mijëra fëmijëve që largohen nga familjet e tyre, vetëm për shkak të këtij njeriu që vret shpresën. Dua ta shporrim një minutë e më parë. Miqtë e mi, në skandalin e fundit, atë botëror, spikati një fakt ndër më dramatikët. Pas rënies së perdes së hekurt, sulmet brutale kundër opozitës, në aleancë me McGonigal-ër e tjr, është dukuria më negative. Populli opozitar u bë objekt i sulmeve të papara.
Ish-kryetari i opozitës u mor peng nga Rama, Berisha pa asnjë fakt nga kjo mafie, ky lobim, u sanksionua. U bë gjithçka për të shndërruar në pseudoopozitë. Ai korruptoi, bleu ambasadorë, deputetë, zyrtarë, që u angazhuan në betejë amorale në mbështetje të Ramës, skandal pas skandali, për fajin e vetëm se ajo guxonte të denonconte vjedhjen dhe korrupsionin. Ne jemi sot më të fuqishëm se ideale dhe vlerat që mbrojmë janë të vërteta, se e duam me gjithë zemër Shqipërinë.
Edhe njëherë theksoj, nuk ishte aleancë mes qeverive perëndimore dhe Edi Ramës. Por aleancë e rrezikshme mes individëve, ambasadorë, zyrtarë, që bënë gjithçka për të mëbshtetur Edi Ramën. Që dolën nga ato zyra me njerëzit e Sinaloas, që morën qeset nga Duçkat e Ramës, vetëm që të na mposhtin ne.
Nga kjo tribunë, në emrin tuaj, në emrin e shqiptarëve që janë sot dhe që mbyllën sytë për ideale demokratike, i bëj thirrje qeverisë së SHBA, Kongresit, institucioneve të vendit të madh, të hetojnë të gjithë çfarë ndodhi këto ditë me opozitën shqiptare. Të hetojnë veprimtarinë e Sorosit në Shqipëri, se si ky multimilairder bëri gjithçka për të ngritur në piedestal këtë kryekorruptor. I bëj thirrje Parlamentit Europian, qeverive të vendeve mike, të hetojnë dhe shqyrtojnë. Skandalet e Duçkës së Edi Rramës janë zinxhir. I garantoj se do vazhdojmë betejën e pamposhtur deri në fitoren e revolucionit demokratik.”, tha Berisha.