I ftuar për të komentuar zhvillimet e protestës së sotme në emisionin ‘Kjo javë’ në News 24, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi u shpreh se protesta e opozitës e zhvilluar këtë të shtunë përballë Kryeministrisë tregoi qartë se qytetarët dolën në shesh për të ruajtur vlerat demokratike.
Boçi u shpreh se PD nuk doli në bulevard për marrjen e pushtetit, por për të ruajtur vlerat demokratike.
“Jemi në një regjim dhe përballë një gjykimi të pjesës qytetarë. Protesta është në pjesën e saj edhe për të ruajtur një ekuilibër. Qytetarët nuk dolën për marrjen e pushtetit. PD nuk ka dalë për marrjen e pushtetit, por për të ruajtur vlerat demokratike. Marrja e pushtetit nëpërmjet formave radikale? Nuk është kjo çështja, situata është më e gjerë sesa degradimi i një pushteti. Jemi para një revolte që nuk përfshin vetëm pjesën militante, por të gjithë qytetarët”, tha ai
Ai theksoi se protestën e morën në dorë qytetarët dhe ishin ata që detyruan liderin e PD-së Berishën për të ndaluar nëpër institucionet.
“Në një moment pati një organizim politik dhe më pas protestën e morën në dorë qytetarët që detyruan zotin Berisha të bënte ndalimin në institucione. Protestuesi ka psikologjinë e tij dhe kërkon edhe goditjen sikurse është edhe në kërkesën e paqes”, tha ai.