Kandidatja e PD-së për Bashkinë e Korçës, Ledina Aliolli i bëri thirrje nga protesta e opozitës kryeministrit Edi Rama që të jepte dorëheqje.
Ajo tha se tashmë faktet e publikuara e implikojnë kryeministrin.
“Qytetarë dhe demokratë të nderuar, nga e gjithë Shqipëria. I gjithë kombi gjendet sot, këtu në këtë shesh. Krenari, dinjitet dhe shpresë i jepni sot gjithë Shqipërisë.
Qindra mijëra shqiptarë kanë ikur nga atdheu, por për ta shpëtuar do jemi gjithnjë e më shumë në këtë shesh. Asgjë nuk e ndal më revoltën popullore për të rrëzuar klikën më antishqiptare që ka qeverisur vendin pas diktaturës komuniste.
10 vite monizëm i Rilindjes së Ramës do të hyjë në histori për ideologjinë e toksikimit të vendit me drogë, e shndërrimit të Shqipërisë në Kolumbi, për të gjithë Europën dhe më gjerë, me trafiqet e çdo lloji;
E pushtetit me zyrtarë të dënuar brenda dhe jashtë Shqipërisë që nuk kanë fre në grabitjen deri te qindarka e fundit e shqiptarëve;
E pushtetit që po shpopullon vendin;
E ikjes së të rinjve dhe krahut të punës në Azil; e mjerimit ekonomik deri në mbijetesë për mbi 500 mijë shqiptarë;
Rilindja, që nuk ka as edhe më minimumin e prestigjit të etërve të kombit që u ka huazuar emrin, po e shndërron vendin në një monizëm të frikshëm të përqëndrimit të pushteteve dhe kontrollit të institucioneve nga ushtria e patronazhistëve dhe aktivistëve…
Arritën deri në përpjekjet më absurde dhe fatale për të eliminuar opozitën, si dikur etërit e tyre të Bllokut me gjyqin çnjerëzor të deputetëve në vitin 1946, dhe shantazhojnë gjykatën për ta nxjerrë opozitën nga procesi zgjedhor.
Kërkojnë të rikthejnë diktaturën duke rrezikuar lirinë dhe standardet e zgjedhjeve dhe duke rrëmbyer çdo atribut të institucioneve, që me kushtetutë duhet të funksionojnë të pavarura.
Por kurrë nuk do ia arrijnë qëllimit, sepse diktatura e etërve është varrosur bashkë me ta, njëherë e përgjithmonë. Shqiptarët nuk do ja lejnë ne dorë fatet e fëmijve të tyre një klike antikombëtare, por do të shpëtojnë vendin, duke çuar në një fitore të thellë dhe të merituar opozitën. 10 vite ishin një kthim mbrapa i rrezikshëm, por ky është fundi për Rilindjen mavi. Shqipëria duhet dhe do të fitojë kohën e humbur drejt Europës dhe për këtë rrugën do e çelë vetëm fitorja e opozitës në 14 Maj.
Nga Korça e rilindasve të vërtetë vij me një mesazh: Shqipërisë, pluralizmit, demokracisë, i dalim Zot!
Edi Rama! Faktet dolën, dorëheqja është detyrim!”, tha ajo.