Vendosni fjalën kyçe....

Keqardhje për ata që u poshtëruan në bulevard – Nga Mero Baze


Nga Mero Baze

Të gjithë ata që duan të bëjnë sikur nuk e kuptojnë misionin e protestës së Sali Berishës, duke dashur ta lexojnë si një protestë kundër qeverisë, sot e morën një përgjigje përfundimtare. Disa prej deputetëve opozitarë që refuzojnë Sali Berishën si kryetar të PD, por bëjnë sikur pranojnë aksionin e tij opozitar, sot kanë qenë njerëzit më të poshtëruar në bulevard.

Përfytyro të kesh dëgjuar për javë të tëra retorikën e Berishës për bashkim, retoriken e tij për luftë kundër Edi Ramës, retorikën kundër tradhtarve që nuk i bashkohen luftës së tij dhe pastaj të shkosh në bulevard dhe të dëgjosh atë se si të poshtëron si tradhtar.

Gjysma e fjalimit të sotëm të Sali Berishës në bulevardin e zbrazur nga qytetarët, ishte kundër deputetëve që nuk e pranojnë për kryetar, të cilët i kishte thirrur në shesh ta dëgjonin.

Pasi përjashtoi publikisht nga pjesëmarrja Lulzim Bashën dhe Enkelejd Albieaj, të cilët në fakt nuk kishin ndërmend të shkonin, ai pastaj u bëri gjyqin si tradhtarë gjithë atyre që u gënjyen e shkuan në bulevard.

Në një bulevard, ku kishte parulla kundër ambasadores së SHBA, ku anatemohej shpallja e Berishës “non grata” si komplot ndërkombëtar dhe akuzoheshin deputetët që nuk e pranojnë si shpirt shitur, ata që kishin shkuar aty gjoja kundër Edi Ramës patën rastin të kuptojnë se në fakt protesta ishte kundër tyre dhe SHBA.

Do të mjaftonte vetëm deklarata e tij se ndalon të vijnë në shesh Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibieaj, për të kuptuar se nuk është betejë kundër Edi Ramës, por betejë kundër artyre që nuk i binden në parti.

Dhe të shkosh nën komandën e një njeriu që cakton se kush duhet të jetë në protestë kundër qeverisë e kush jo, do të thotë të dorëzohesh tek një njeri që ndan liçenca opozitare dhe jo të përmbushësh misionin opozitar.

Misioni opozitar kundër Edi Ramës jo vetëm që bëhet dhe pa leje të Sali Berishës, por më së miri dhe më i rrezikshëm per Edi Ramen, është pa Sali Berishën.

Për fat protesta ishte e vogël, e stisur, me mercenarë nga veriu dhe periferitë, dhe e braktisur nga Tirana, siç e meriton të jetë një lëvizje regresiste në një shoqëri të ndriçuar.

Dhe të vetmit njerëz të poshtëruar në atë shesh ishin ata që duan të bëjnë sikur besojnë se Sali Berisha e ka me Edi Ramën dhe jo me SHBA dhe ata që nuk e pranojnë.

Në fakt e ka vetëm me ata dhe SHBA. Këtë e ka kuptuar tani gjithë Tirana që e la vetëm dhe gjithë Shqipëria që e ka izoluar. Përveç atyre deputetëve që mendojnë se mund të jenë nën komandë të Berishës kundër Edi Ramës dhe nën komandë të Lulit, kundër Sali Berishës.

Shkoni mor në shtëpi bëni ndonjë punë, mos u torturoni rrugëve. Për të mbushur sheshin ka lekë Zeni. S’keni pse e barazoni veten me ata që u paguajnë naftën për të ardhur në shesh.