Opozita ka thirrur ditën e sotme protestë kombëtarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë.
Organizimi ka nisur që në orët e para të mëngjesit me rrethet. Simpatizantë të forcave politike të opozitës kanë organizuar transportin për tiu bashkuar protestës që nis prej orës 12 të mesditës.
Rreth 1000 protestues nga opozita e qarkut të Beratit janë nisur drejt Tiranës. Nisja e demokratëve të Beratit është organizuar në aksin nacional Berat-Dimal, në Moravë, ku rreth 500 demokratë beratas janë nisur drejt Tiranës me mjete private, ndërkohë që dhjetëra të tjerë janë nisur që prej mbrëmjes së djeshme, nga frika se mos policia u ndalonte hyrjen në kryeqytet.
Nga Korça janë nisur rreth 400 persona me 55 mjete te vogla dhe 3 autobusë. Ndërkohë, nga Pogradeci rreth 150 qytetarë janë nisur me 35 automjete. Po ashtu nga Devolli do të marrin pjesë 250 qytetarë, të cilët janë nisur me makina private.
Rreth 1000 qytetarë nga rrethi i Krujës i bashkohen sot protestës së opozitës.
Mbi 800 anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të degës së Fierit do t’i bashkohen protestës.
Rreth 100 demokratë të Sarandës, Konispolit dhe Finiqit, që do t’i bashkëngjiten sot protestës të paralajmëruar, që organizohet në Tiranë.