Vendosni fjalën kyçe....

Rusia, sulme masive ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës


Rusia kreu të premten një “sulm masiv” ndaj objekteve energjetike të rëndësishme të kompleksit ushtarak-industrial të Ukrainës, tha të shtunën ministria ruse e mbrojtjes, sipas VOA.

Ministria nuk identifikoi objektet energjetike që pretendon se ka goditur dhe tha se sulmi kishte bllokuar gjithashtu transportin hekurudhor e armëve dhe municioneve të huaja për në fushat e betejës në Ukrainë.

Forcat e armatosura të Ukrainës thanë vonë të premten se forcat ruse kishin hedhur më shumë se 100 raketa dhe kishin kryer 12 sulme ajrore dhe 20 granatime. Ushtria tha se 61 raketa ruse u shkatërruan.

Ministri i Energjisë i Ukrainës, German Galushchenko tha se Rusia kishte goditur objektet e energjisë elektrike në gjashtë rajone me raketa dhe dronë, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në pjesën më të madhe të vendit.

Rusia ka sulmuar vazhdimisht infrastrukturën civile larg vijave të frontit, duke lënë miliona ukrainas pa energji, ngrohje ose ujë për ditë të tëra në mes të dimrit.