Vendosni fjalën kyçe....

Alda Klosit i sekuestrohet një apartament dhe një garazh në Tiranë


 

Policia e Tiranës ka njoftuar se ka vënë në sekuestro pasurinë e ish-zyrtares Alda Klosi, e cila ndodhet në burg nën akuzën për pastrim parash e fshehje pasurie.

Deri më tani është vënë në sekuestro një garazh dhe një apartament në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale në DVP Tiranë, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, sekuestruan pasuri të palujatshme në pronësi të shtetasit A. K., konkretisht një apartament dhe një garazh në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale“, njofton policia.

Ish-shefja e kabinetit të Arben Ahmetaj, Alda Klosi sipas të dhënave është pronare dhe bashkëpronare e 7 pasurive të paluajtshme në Shëngjin dhe në Tiranë. Klosi është pronare e dy apartamenteve në Shëngjin me sipërfaqe 94 m2 dhe dhe 42 m2. Nga të dhënat e siguruara, është bërë pronare e pasurive në tetor 2021 me kontratë dhurimi. Nuk dihet se kush dhe në çfarë rrethanash dy apartamentet i janë dhuruar Klosit.

Alda Klosi është bashkëpronare me Altin Klosin i një apartamenti 72 m2 në Tiranë si dhe i një tjetër apartamenti 47 m2 në Tiranë. Ish zyrtarja e shteti është gjithashtu bashkëpronare e një tjetër apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 50 m2. Klosi është bashkëpronare edhe e dy sipërfaqe trualli në Tiranë 216 m2 dhe 160 m2. Zonja Klosi ka në pronësi edhe një makinë të tipit Toyota RAV4, e vitit 2013.

Klosi është pasuruar gjatë periudhës 2017-2022, kur ka ushtruar funksionet e drejtoreshës në Ministrinë e Financave si dhe të drejtores së kabinetit në Ministrinë për Rindërtimin dhe Programin për Reformat, ministri këto të drejtuara nga Arben Ahmetaj. Në vitin 2017 blen bashkë me bashkëshortin, me të cilin ndahet më pas, apartament në Tiranë, me sipërfaqe 72 m2, me vlerë të deklaruar 31 mijë euro. Në 2018, blen një apartament 47 m2, me vlerë të pretenduar 2.5 milionë lekë ose rreth 20 mijë euro, me burim shitjen e një prone të prindërve të ish bashkëshortit me vlerë rreth 100 mijë USD.

Në vitin 2020 blen makinë Toyota RAV4 për 4 mijë euro. Të gjitha këto pasuri i ka blerë pasi është emëruar në funksionet publike, me pagë mujore rreth 80 mijë lekë të reja në muaj. Në vitin 2021, zonjës Klosi i dhurojnë dy apartamente në Shëngjin me sipërfaqe 94 m2 dhe 42 m2, me vlerë të deklaruar rreth 70 mijë euro. Në vitin 2021, trashëgon nga babai një apartament 50 m2 në Tiranë, si dhe dy sipërfaqe trualli 216 m2 dhe 160 m2 në Tiranë. Në pasuritë e trashëguara zonja Klosi ka 1/3 si pjesë.

Në 3 shkurt 2022 dhe në datën 28 maji 2022, Alda Klosi ka lidhur dy kontrata për ndërtim pallatesh në pronën e saj me sipërfaqe 216 m2, të trashëguar. Kontratën në këmbim të përfitimit të sipërfaqeve ndërtimore i ka lidhur me kompaninë e ndërtimit 2B & CONSTRUCTION GROUP. Pronarë të kompanisë në fjalë Uljan dhe Dorina Kala.

Nuk dihet nëse kontrata është fiktive apo reale dhe nëse Klosi mund të kishte në plan që paratë që mbante në banesë t’i investonte në ndërtim. Ndërkaq, ndryshe nga sa pretendoi në një intervistë në media, Alda Klosi nuk i ka deklaruar në ILDKPKI shumat që Rozeta Dobi i vodhi në banesë.