Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthen dhuna në ndeshjen e kategorisë inferiore, ndërpritet ndeshja pas 10 minutash lojë


Ndeshja e kategorisë inferiore mes Shkumbinit e Delvinës është ndërprerë ende pa nisur mirë.

Pas shënimit të golit nga miqtë në minutën e 10-t, lojtarët vendas dhe ata miq bashkë me stafet përkatëse u përfshinë në  një dhunë masive duke bërë që gjyqtari të ndërpresë ndeshjen për të  mos e rifilluar më.

Policia e Peqinit ka proceduar penalisht 52-vjeçarin F.H., shefi i klubit të Shkumbinit dh 66-vjeçarin A.G., trajneri i Delvinës.

Njoftimi

“Komisariati i Policisë Peqin, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Peqinit, kishin marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve K. F. Shkumbini dhe K. F. Delvina, e cila filloi në orën 13:00, në stadiumin e qytetit të Peqinit.

Masat për sigurinë brenda stadiumit i kishte marrë Policia Bashkiake, ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, sipas regullores, kishin marrë masa për sigurinë në perimetrin e jashtëm të stadiumit.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes, në momentin kur ekipi i Delvinës shënoi gol, stafi i ekipit të Shkumbinit është konfliktuar me stafin e ekipit të Delvinës dhe për këtë arsye arbitri kryesor ka ndërprerë ndeshjen.

Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, që ndodheshin në sigurimin e perimetrit të jashtëm të stadiumit, kanë ndërhyrë në stadium  duke parandaluar përshkallzimin e konfliktit dhe kanë  bërë sigurimin e të dy ekipeve, K.F. Delvina dhe K.F. Shkumbini.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin proceduan penalisht për veprën penale ” Kanosja për shkak të detyrës”, shtetasit F. H., 52 vjeç, banues në Peqin, me detyrë shefi i klubit të futbollit të K. F. Shkumbini dhe shtetasin A. G. 66 vjeç, banues në Delvinë, me detyrë, trajnier i klubit të futbollit të K. F., Delvina.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë, pas vendimit të arbitrit për mos rifillimin e ndeshjes, kanë bërë shoqërimin deri në dalje të territorit të qarkut Elbasan, të lojtarëve dhe të stafit të ekipit të Delvinës.”