Pjesa e komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe, vijojnë të prodhojnë kryetituj gazetash, sidomos shqiptarët e përfshirë në botën e krimit atje, shkruan Sunday Express, e cila ka si titull “Gangsterët shqiptarë rekrutojnë nga vendlindja”.
Jon Austin editor i krimeve në këtë gazetë, shkruan se Britania e Madhe po përballet me një valë të tretë emigrimi të shqiptarëve në shtetin ishullor.
“Tashmë grupet kriminale shqiptare të konsoliduara janë duke rekrutuar ushtarët e rinj në vendlindjen e tyre”, thuhet në artikull.
“Gjenerata e dytë e kriminelëve shqiptarë në Angli po kthehen në vendin e prindërve të tyre duke tërhequr njerëz të pashpresë për tu bërë pjesë e krimit” citohet në këtë gazetë Dr Andi Hoxhaj, pedagog në University College London.
Në një dëshmi me shkrim Hoxhaj i thotë Komitetit të Çështjeve të Brendshme në parlamentin Anglez se “Rrjetet e krimit të organizuar shqiptarë në Angli shkojnë në zonat rurale të Shqipërisë ku ka varfëri ekstreme apo papunësi të theksuar me qëllim rekrutimin e ushtarëve të rinj të krimit”.
Në dëshminë e tij Dr Andi Hoxhaj thekson:
“Ata u ofrojnë udhëtime falas drejt Anglisë. Në këmbim punësim në shtëpitë e kanabisit apo aktivitete të tjera kriminale. Kemi parë një fushatë të suksesshme rekrutimi gjatë vitit 2022 përmes rrjeteve sociale bashkëlidhur me këtë çmime të lira kalimi drejt Anglisë nga Franca me Gomone”.
Në fund të artikullit, Sunday Express thotë se pavarësisht premtimit se ushtarët e rinj të krimit do të bëjnë një jetë prej gangsterësh të vërtetë, të rinjtë shqiptarë kthehen në skllevër modern e u duhet të paguajnë borxhin, atyre që paguan për ti sjellë në Angli.