Ndërsa numri i të vdekurve nga dy tërmetet e fuqishme të së hënës së shkuar ka shkuar në mbi 33 mijë mijë në Turqi e Siri, autoritetet kanë lëshuar urdhërarreste ose kanë arrestuar mbi 130 persona që dyshohet se janë përfshirë në ndërtimin e dobët të pallateve e godinave që u rrënuan duke zënë poshtë vetes viktimat.
Më shumë se 80,000 njerëz u raportuan të plagosur nga tërmetet dhe numri i të vdekurve në ngjarjet kataklizmike rrezikon të rritet.
Në Turqi, kodet e ndërtimit që plotësojnë standardet e tanishme të inxhinierisë së tërmeteve janë zbatuar rrallë, gjë që ka çuar në rrëzimin e mijëra ndërtesave, thanë zyrtarët, shkruan NY Post.
Ministri i Drejtësisë i Turqisë u zotua të ndëshkojë ata që janë përgjegjës pasi prokurorët mblodhën materiale ndërtimi për t’u përdorur si provë kundër 131 personave të dyshuar për shkatërrimin e mijëra ndërtesave nga tërmetet me magnitudë 7.8 dhe 7.5 ballë.
Dy kontraktorë që dyshohet se janë përgjegjës për shkatërrimin e disa ndërtesave në Adiyaman u arrestuan në Aeroportin e Stambollit të dielën para se të arrinin një fluturim për në Gjeorgji, sipas agjencisë private të lajmeve DHA dhe raporteve lokale.
Një kontraktor i një ndërtese luksoze 12-katëshe në qytetin historik të Antakias, që u shemb nga tërmetet, duke vrarë viktima të panumërta, u ndalua gjithashtu në aeroport para se të mund të largohej nga vendi.
Dy të dyshuar të tjerë në provincën Gaziantep u arrestuan me dyshimin se kishin prerë kolonat në një ndërtesë për të krijuar hapësirë shtesë në një ndërtesë që ishte shembur, njoftoi agjencia shtetërore Anadolu.
Arrestimet erdhën një ditë pasi Turqia njoftoi krijimin e zyrës së ‘Hetimit të Krimeve të Tërmeteve’ që do punojë për të mbledhur prova kundër të dyshuarve dhe për të kontrolluar lejet e ndërtimit.