Një vit më parë, nisi funksionimin sistemi kombëtar i pagesave në Euro AIPS Euro.
Ky sistem mundësoi për herë të parë procesimin dhe shlyerjen brenda vendit të transfertave kombëtare në monedhën europiane. Statistikat e vitit të parë tregojnë se volumet e veprimeve që kryhen nëpërmjet këtij sistemi janë të konsiderueshme, element që jep edhe një ide të nivelit së lartë të përdorimit të Euros në transaksionet e brendshme ekonomike.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2022 (sistemi nisi punën në 24 janar), në sistemin AIPS-Euro janë kryer gjithsej më shumë se 156 mijë veprime, për një vlerë totale prej rreth 3.35 miliardë Eurosh.
Volumi maksimal i transaksioneve u shënua në muajin dhjetor, me rreth 395 milionë euro, ndërsa numri maksimal i transaksioneve u shënua po në muajin dhjetor, me 19 180 të tilla.
Para ngritjes së sistemit AIPS Euro, transfertat kombëtare në Euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit. Kjo rrugë krijonte vonesa në kohë dhe, mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë. Me sistemin e ri AIPS Euro, Banka e Shqpërisë përcaktoi edhe vlera tavan që bankat tregtare për komisionet që ato mund t’iu ngarkojnë klientëve të tyre.
Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jenë më i lartë se 0.2% e vlerës së transferuar dhe komisioni dysheme nuk mund të jetë më i lartë se 6 euro.
Për pagesat që janë të iniciuara në formë elektronike, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e totalit të komisioneve të aplikuara për çdo pagesë të iniciuar në formë jo elektronike. Kjo do të thotë zbatimin e totalit të komisioneve dysheme të lartë se 3 euro, totalit të komisioneve jo më të lartë se 0.1% e vlerës së transferuar për vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro.
Në total, për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, totali i komisioneve maksimum të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë, nuk duhet të jetë më i lartë se 50 euro, pavarësisht nga shuma. Për transfertat e kryera përmes këtij sistemi nuk aplikohen komisione për fondet në mbërritje.
Veç uljes së kostove, ky projekt vlerësohet të ketë sjellë efekte pozitive edhe nga pikëpamja e administrimit të parasë fizike në Euro nga ana e bankave dhe promovimit të pagesave elektronike edhe në këtë segment të tregut, duke nxitur qytetarët shqiptarë drejt përdorimit të këtyre instrumenteve. Në të shkuarën, komisionet e larta bënin që shumë shpesh klientët e sektorit bankar t’i zhvendosnin fondet nga njëra bankë tek tjetra nëpërmjet tërheqjeve dhe derdhjeve cash në arkë.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, deri në muajin tetor 2022 sistemi AIPS Euro u kurseu klientëve të sistemit bankar rreth 1 milionë euro në muaj komisione dhe tarifa transfertash. /E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor