Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ka ironizuar protestën e së shtunës të opozitës ndërsa ka komentuar edhe një tjetër të thirrur për pasditen e sotme para parlamentit, para nisjes së seancës.
“Pas dështimit të protestës, revolucionit ditën e shtunë, në Shqipëri këto raste bëhen edhe të tretat. Sot janë të tretat. Nuk e di për çfarë arsye duhet protestuar sot te Parlamenti.” – tha Balla.
Ai sqaroi për gazetarët edhe kërkesën e opozitës për zhvillimin e mocionit me debat me kryeministrin Rama lidhur me çështjen McGonigal.
Sipas tij, debati do zhvillohet në një nga seancat e të enjteve në vijim.
“Siç ju informova, kemi miratuar zhvillimin me mocion me debat brenda 30 ditëve. Që mocioni me debat të zhvillohet, duhet të ulet Alibeaj dhe Doda bashkë me mua që të përcaktojmë edhe kushtet. Unë kam propozuar 12 orë dhe kohët e përkatëse. Duhet të biem dakord edhe për datat, mendoj që nga një nga të enjtet që vijnë ne do ta zhvillojmë edhe këtë debat. Duhet ta flasim edhe me kryetarët e grupeve. Kemi përcaktuar kohën më të madhe që është bërë ndonjëherë, kryeministri do jetë. Sot Shqipëria mikpret një mik të rëndësishëm që viziton Shqipërinë, kryeministri i landit të Bavarisë ka një axhendë të paracaktuar, përpos kësaj seanca e ditës së sotme ka të bëjë me kohën që u jepet deputetëve.” – shtoi Balla.
Një ditë më parë, kryeministri Rama bëri të njëjtën gjë duke ironizuar protestën e opozitëës në bulevard. Ai shkruante se ‘dje ishin zhgarravinat e revolucionit, ndërsa sot vjen dushi i regjimit’.
Seanca e fundit në Kuvend u shoqërua me tensione të shumta pas kërkesës së deputetëve të opozitës për debat me kryeministrin Rama lidhur me çështjen ‘McGonigal’. Kryeministri nuk ishte i pranishëm ndërsa deputetët e opozitës akuzuan kolegët socialistë se po bënin çmos qët’u mbyllnin gojën.