Nuk ndajnë edhe shumë orë nga protesta e ditës së sotme, që do të mahet përpara parlamentit, ku kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri thirrje për një pjesëmarrje masive.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se përfaqësuesit e 750 mijë qytetarëve që kanë votuar opozitën, sot po trajtohen me praktika staliniste në parlament.
“ Përfaqësuesit e 750 mijë qytetarëve trajtohen në Parlamentin shqiptar me praktika staliniste, kriminale të turpshme. Përfaqësuesit e këtyre 750 mijë qytetarëve shqiptarë që kanë detyrë themelore mbrojtjen e interesave të tyre, kanë detyrë themelore kontrollin e qeverisë dhe transparencës nga abuzimet, përjashtohen, bllokohen, iu mohohet e drejta e fjalës dhe nuk lejohen të ngrejnë komisione hetimore parlamentare”, u shpreh Berisha.
Po ashtu ai u është përgjigjur për pjesëmarrjen e ulët në protestën e së shtunës duke thënë se kanë postuar video të regjistruara kohë më parë, dhe jo të 11 shkurtit.
Gjithashtu Berisha nuk la edhe njëherë pa e prekur çështjen McGonigal, ku tha se është detyrë emergjente e parlamentit shqiptar të hetojë dosjen e Tiranës në këtë superskandal.
“Pasojat e këtij korrupsioni janë të shumëfishta. Kongresi i SHBA po heton, dhe ne kemi besim te hetimi i tyre, por është detyrë emergjente e parlamentit shqiptar të hetojë dosjen e Tiranës në këtë superskandal. Parlamenti nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë axhendë tjetër, përpara hetimit të skandalit Rama-McGonigal.” tha Berisha.
Kreu i PD i ftoi edhe njëherë qytetarët për tu dëgjuar zëri i tyre në këtë protestë.
Qytetarë dhe qytetare, zëri juaj dhe prania juaj ka rëndësi vendimtare për demokracinë në Shqipëri. Duhet të bashkojmë forcat tona për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij regjimi që nuk meriton asnjë ditë. Ju e shihini, ata që u strukën në vrima miu në datën 11 shkurt, ata që postuan video të regjistruara kohë më parë, tani dalin nga vrima e miut ku ishin futur dhe tallen me qytetarët. Ky është morali i tyre, karakteri i tyre. Ndaj dhe sot në ora 5, ju ftoj të gjithëve para parlamentit, të dëgjohet zëri juaj, në sallë dhe jashtë sallës, zëri i popullit opozitar”, tha Berisha.