Vendosni fjalën kyçe....

“Deri frymën e fundit do kërkoj drejtësi për Joy-n” – Nëna e 22-vjeçares që ndërroi jetë në Kenia pasi u dhunua barbarisht në Tiranë


Nëna e 22-vjeçares Joy Ayoko është zotuar se do bëjë gjithçka për të gjetur drejtësi për të bijën, e cila ndërroi jetë në Kenia gjashtë muaj pasi u dhunua barbarisht në Tiranë.

Ruth Abongo ka deklaruar se do kërkojë drejtësi deri në frymën e fundit në mënyrë që autori apo autorët që dhunuan të bijën duke i kushtuar asaj jetën të dalin para drejtësisë, shkruan BW.

“Do bëj të pamundurën që të vendoset drejtësi për vajzën time. Nëse kjo drejtësi do të marrë frymën time të fundit për të vendosur drejtësi për Joyn, atëherë jam gati.” – ka thënë Ruth Abongo.

E reja nga Kenia ishte rekrutuar për të punuar në një kazino në Tiranë që operonte në stadiumin ‘Air Albania’.

Ajo u gjet në gjendje të rëndë poshtë ballkonit në banesën e saj në rrugën ‘Pandeli Evangjeli’ në Tiranë mëngjesin e 14 gushtit 2022.

Policia e mediat e mbajtën të fshehtë lajmin për disa javë ndërkohë që prokuroria i nisi me vonesë hetimet pasi sipas saj njoftimi ishte referuar me vonesë.

Pasi qëndroi në koma për disa muaj në spitalin e Traumës, e reja u transferua në janar 2023 në Kenia pasi bashkëkombasit e saj grumbulluan shumën e duhur të parave për transferimin.